Artan Hoxha: Për lirimin e të kërkuarit për terrorizëm Turgut u paguan 1 milion $

23 Tetor 2019, 19:00

TIRANE - Gazetari investigativ Artan Hoxha i ftuar në Report Tv dha detaje në lidhje me celulën terroriste iraniane që u zbulua nga autoritetet shqiptare dhe të huaja, dhe që do të kryenin sulme në vendin tonë.

Abdulselam Turgut është bosi i trafikut ndërkombëtar të heroinës i shpallur në kërkim nga gjykatat gjermane që më 21 nëntor 2009, i akuzuar për trafikimin e 1.6 tonëve heroinë drejt Republikes Federale Gjermane. Njeriu që fshihet pas celulës sekrete iraniane në Shqiperi është arrestuar në shkurt të 2011-es në aeroportin e Rinasit, pas një urdhër arresti ndërkombëtar shpallur nga Interpoli. Gjyqtari Kreshnik Omari i gjykatës së Tiranës vendosi masën e sigurisë arrest me burg në pritje të dosjes së ekstradimit nga Gjermania. Por dy javë më vone, më 4 mars 2011, një treshe gjyqtarësh të Apelit drejtuar nga gjyqtari Gjin Gjoni, pavarësisht akuzave të Gjermanisë dhe të paktën 5 shteteve të tjera të BE-së, e liruan bosin turk të drogës në arrest shtëpie.Madje e dërguan në një apartament që figuronte në emrin e Gjin Pjetrit, në katin e 8-të të një pallati ende të papërfunduar tek Kthesa e Kamzës. 

Që nga ajo kohë bosi turk u zhduk pa lënë gjurmë edhe pse ka patur informacion se për shkak të lidhjeve të tij të forta me narkotrafikantë të njohur në Shqipëri, me biznesmenë apo personazhe me influencë në skenën politike, siç Artan Hoxha tha - ai ka hyre dhe ka dalë sërish nga vendi. Në marsin e 2011-ës -gazetari Artan Hoxha thotë se u paguan jo pak por 1 milionë dollarë nga partnerët, ortakët apo miqtë e Turgutit në Shqipëri që ai te lirohej nga burgu.

Ende nuk dihet kush saktësisht i mori ato para.

Gazetari Artan Hoxha tha se opozita e asaj kohe, pra PD-ja, ishte vënë në "gjumë" nga disa miq të përbashkët të bosit turk të drogës. "As qytetari digital nuk kishte mundësi të denonconte skandalin e lidhjes së bosit të narkotrafikut ndërkombëtar me zyrtarët e lartë të policisë, prokurorisë, gjyqësorit, politikës dhe qeverisë shqiptare, sepse ishte i zënë me punë të tjera, qytetari digital në atë kohë ishte vet kryeministri i Shqipërisë", u shpreh Hoxha.
Category