Arti në zi! Shuhen dy aktorët e njohur të humorit në Fier dhe Shkodër

21 Korrik 2020, 15:37

Ditë zie për artin shqiptar. Sot ndërruan jetë dy aktorë të njohur të humorit, Fuat Boçi dhe Anton Krosaj. Aktori i mirënjohur fierak Fuat Boçi u shua në moshën 89-vjeçare. Aktori i qindra roleve ka vdekur në shtëpinë e tij në qytetin e Fierit dhe përcillet për në banesën e fundit këtë të martë në orën 12:00. Fuat Boçi lindi në vitin 1931 në Voshtinë dhe në vitin 1938 familja e tij u shpërngul në Fier. Boçi ka marrë pjesë në rreth 160 premiera duke luajtur mbi 600 role. Krahas varietese, ka luajtur shumë role edhe në pjesë për fëmije, sikurse në teatrin e kukullave të qytetit. Fuat Boçi mban titullin “Qytetar Nderi i Fierit” dhe “Artist i merituar”. Ndërkohë që po sot u shua në moshën 54-vjeçare humoristi i njohur shkodran Anton Krosaj.  Ai vuante prej kohësh nga një sëmundje e rëndë.  Anton Krosaj ishte pjesë e estradës së teatrit "Migjeni", ndërsa numëron mjaft role në komedi dhe skeçe.