Arti shqiptar në zi, ndahet nga jeta në moshën 89-vjeçare kompozitori Kozma Lara

19 Janar 2019, 14:13

Është ndarë nga jeta mbrëmjen e djeshme, një nga themeluesit e muzikës shqiptare pianisti dhe kompozitori Kozma Lara.

Homazhet në nderim të tij do të mbahen ditën e sotme në hollin e Universitetit të Arteve nga ora 11.00-12.00.

Lara u lind në Durrës, më 10 Korrik 1930. Veprat e tij të para, filluan të dëgjoheshin në vitet ’60-të. Në 1965, u duartrokit sinfonia, një vit më vonë, kompozoi muzikën e baletit “Fatosi partizan”, që u vu në skenë nga koreografi Panajot Kanaçi.

Mësimet e para në piano e kreu me profesorin Tonin Guraziu. Më pas në vitett 1946-49 mbaron shkollën e mesme të përgjithshme "16 Shtatori" në Durrës. Ndoqi liceun Artistik "Jordan Misja" në Tiranë ku dhe diplomohet në degën e pianos në vitin 1954.

Në vitin 1958 studion në Konservatorin P. Iliç. Çajkovski në Moskë (ish BRSS), në degën e Kompozicionit, student i Profesorit Sergey Artem'yevich Balasanian.

Gjatë viteve ka kontribuar në Asamblin e Ushtrisë Popullore, në Teatrin e Operas dhe Baletit në Tiranë si Koncert Maestër dhe në Shkollën e Mesme të Muzikës Mujo Ulqinaku-Durrës.