TIRANË- Në janar të vitit 2020, TKOBAP (Teatri Kombëtar i Operas, Baletit dhe Ansambli Popullor) shpalli konkurs të hapur përmes një thirrjeje publike për dizejnimin e logos së re të këtij institucioni. Në faqen zyrtare të TKOBAP dhe të Ministrisë së Kulturës, u publikuan edhe kriteret për logon dhe afatin e konkursit që përfundonte në 24 shkurt 2020. Por, ndonëse prej dhjetorit të vitit 2020, opera promovon të gjitha aktivitetet online me logon e re, ende nuk ka shpallur zyrtarisht emrin e studiues apo të fituesit të konkursit, jurinë që e ka përzgjedhur dhe informacionin se çfarë përfaqëson kjo logo për institucionin. Megjithatë, në rrjetet sociale artistët kanë denoncuar se logoja e re e TKOBAP është një plagjiaturë e vjedhur nga site ndërkombëtare, denoncim ky i ngritur fillimisht nga artisti i Arteve Pamore, Ardian Isufi. Ministrja e Kulturës, për këtë situatë të krijuar thotë se:
“Jam vënë në dijeni nga rrjetet sociale sot në mëngjes. Duhet verifikuar. Konkursi është bërë para një viti, edhe do të ngrihet një komision i posaçëm për të vërtetuar atë që ka dalë sot në rrjete sociale. Duhet të kem më shumë informacione për gjykimin tim. Ka pas një juri me gjashtë persona në mos gaboj, pasi këtë e mësova sot. Sa të kemi mundësinë do t’ua japim të gjithë infon”, tha Margariti për mediet.
