Asambleja e Akademisë “rrëzon” Presidentin Meta, Gjinushi nga sot kryetar

18 Tetor 2019, 15:51

Kryesia e Akademisë së Shkenca ka miratuar sot statutin e ri të këtij institucioni, duke u bazuar në ligjin e ri “Për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë” (hyrë në fuqi në 8 tetor). Akademikët kanë shqyrtuar me dyer të mbyllura dekretin e Presidentit të Republikës, Ilir Meta, i cili nuk e ka njohur akademikun Skënder Gjinushin si kryetar, edhe kanë bërë edhe emërimin zyrtar të këtij të fundit. Gjithashtu një nga pikat e tjera, që është miratuar gjatë mbledhjes së kryesisë është hapja e vendeve të reja për anëtarë të Asamblesë me titullin “akademikë” edhe “akademikë i asociuar”. Pas mbledhjes kryetari i Akademisë së Shkencave e quajti datën e sotme, kurorëzim të mbylljes së reformës në ASH.

“Sot u kurorëzua mbyllja e reformës në ASH nëpërmjet akteve themelore të saj. Prej datës 9 tetor ligji ka hyrë në fuqi, edhe sot u miratua statuti i ri në zbatim të këtij ligji. Këto akte kanë disa risi, sepse bëjnë një hapje të konsiderueshme të ASH-së ndaj pranimeve të reja, duke futur konceptin që anëtarët mbi 75 vjeç lirojnë vendin për anëtarë të rinj apo duke futur statusin e anëtarëve të jashtëm për t’u anëtarësuar të gjithë intelektualët edhe kërkuesit më të suksesshëm, që ka Shqipëria jashtë vendit etj. Por duke futur edhe konceptin që homologët tanë në Kosovë, Maqedoni të Veriut etj., mund të bëhen anëtarë të jashtëm të ASH”, shprehet Gjinushi, teksa shton se kjo i mundëson Akademisë që të luajë një rol primar, veçanërisht zhvillimit në fushën e albanologjisë.