TIRANE - Furtunë në Qeveri. Kryeministri Edi Rama ka shkarkuar sot në Asamblenë Kombëtare të PS Lindita Nikollën, Arben Ahmetajn, Ditmir Bushatin, Damian Gjiknurin, Niko Peleshin dhe Sonila Qaton. Gjithashtu, ndryshimet kanë prekur edhe postin e zv/kryeministrit, ku largohet Senida Mesi dhe në vend të saj emërohet Erion Braçe.
Partia Socialiste mblodhi sot prej orës 10:00 Asamblenë Kombëtare, një mbledhje kjo jashtë radhe. Mbledhja nisi me një fjalim të kryetarit të PS dhe njëherazi kryeministrit të vendit, Edi Rama dhe në axhendë janë parashikuar plot 8 pika, kryesisht me karakter organizimin e PS-së në bazë përpara zgjedhjeve vendore të 30 qershorit.
Sa i takon vendimeve që pritet të merren sot në Asamble, më konkretisht, ndër to vlen të theksohet riformatimi i strukturave organizative vendore socialiste, ndërsa pritet të miratohet krijimi i regjistrit dixhital të PS, krijimi dhe funksionimi i shtabeve elektorale në të gjitha nivelet për zgjedhjet vendore të 30 qershorit 2019, thirrja e kongresit të PS në datën 30 mars 2019 si dhe miratimi i vendimit për ngritjen e grupit të punës për statutin e ri të PS.