'Asgjë nuk harrohet'/ Rrëfehet i penduari, SPAK zbardh vrasjet e Vajdin Lamajt dhe Klodian Saliut

8 Dhjetor 2020, 20:50 | Përditesimi: 8 Dhjetor 2020, 20:50

TIRANË- SPAK ka njoftuar sot se ka zbardhur dy vrasje të  bujshme që kanë tronditur vendin vite më parë. Bëhet fjalë për vrasjet e Vajdin Lamajt dhe Klodjan Saliut para disa vitesh. SPAK akuzon Emiljano Shullazin, Lul Berishën dhe bandat e tyre si të përfshira në këto dy ngjarje.

Rihapja e hetimeve ka ardhur pas dëshmisë së të penduarit Luftar Reçi. Lul Berisha dhe Plarent Dervishaj (kunati i Berishës) aktualisht janë shpallur në kërkim ndërkombëtar, ndërsa Indrit Taullai, Luftar Reçi (i penduar), Viktor Ymeri dhe Emiljano Shullazi janë arrestuar. Ndërkohë është urdhëruar ndalimi për Indrit Rusin.

Hetimet për këto dy ngjarje ishin pezulluar për moszbulim të autorëve, por më pas, pas dëshmisë së të penduarit është bërë e mundur zbardhja e vrasjes së Klodjan Saliut, Vajdin Lamajt, ku vdiq dhe miku i tij Artan Arsi. SPAK ka rifilluar hetimet dhe ka vendosur bashkimin e tyre në një procedim të vetëm. Hetimi për këto vrasje është bashkuar në një të vetëm, sepse Lul Berisha dhe Emiljano Shullazit dhe bandat e tyre akuzohen se kanë bashkëpunuar për vrasjen Vajdin Lamajt dhe Artan Arsit në ashensor në banesën e tij. Ndërkohë Lul Berisha akuzohet gjithashtu dhe për vrasjen e Klodjan Saliut dhe Osman Truma. Ngjarjet e rënda kanë ndodhur në datat 26 shkurt dhe 27 shkurt të vitit 2005, pa kaluar as 24 orë.

Mësohet se i gjithë operacioni është koduar "Asgjë nuk harrohet" dhe janë angazhuar 60 efektiv policie.

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Tiranë, ka kryer hetime në funksion të procedimit penal nr.252 të vitit 2020. Hetimet e këtij procedimi penal kanë të bëjnë me dy ngjarje të ndodhura para 15 vitesh, autorët e të cilave nuk ishin zbuluar.

Më konkretisht bëhet fjalë për ngjarjen e ndodhur në datën 26.02.2005, ku rreth orës 22:00, në vendin e quajtur autostrada Tiranë – Durrës në drejtim të Tiranës, në segmentin rrugor Durrës – Maminas, në afërsi të fshatit Koxhaj është qëlluar me armë zjarri shtetasi K. Saliu, i cili po lëvizte me autoveturën e tij tip “Mercedes Benz”, ngjyrë gri me targë DR8907C. Nga këto goditje me armë zjarri ka mbetur i vdekur shtetasi K. Saliu, si dhe është plagosur shtetasi O. Truma, i cili ndodhej në automjet nën shoqërinë e viktimës.

Ngjarja e dytë është ajo e datës 27.02.2005, ku rreth orës 23:50, si pasojë e një shpërthimi me lëndë plasëse, kanë gjetur vdekjen shtetasit V. Lame dhe A. Arsi. Ngjarja ka ndodhur në pallatin ku banonte viktima V. Lamaj, me adresë Kulla Nr.2, Lagja nr.9, rruga “Dervish Hima”, Tiranë. 

Hetimet e procedimeve të regjistruara për këto dy ngjarje ishin pezulluar për moszbulim të autorëve të veprës penale. Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka rifilluar hetimet e këtyre procedimeve dhe pas regjistrimit të tyre në regjistrin e procedimeve penale ka vendosur bashkimin e tyre në një procedim të vetëm.

Pas rifillimit të hetimeve, Prokuroria e Posaçme grumbulloi prova të cilat krijonin dyshime të arsyeshme në lidhje me autorët e këtyre dy ngjarjeve të rënda kriminale. Më tej Prokuroria ju drejtua Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me kërkesën për caktim mase sigurimi ndaj 6 të dyshuarve.

r.k./Shqiptarja.com