Asnjë viktimë por shumë dëme materiale... si është Bubqi sot një vit pas tërmetit të 26 nëntorit!

26 Nëntor 2020, 08:45

Një vit pas tërmetit tragjik të 26 nëntorit, në Bubq ende kanë mbetur inerte.

Bubqi është zona që ka pasur dëmet më të madhë në rrethin Krujë  edhe pse fatmirësisht nuk u regjistruan viktima.

Gjithsej në këtë njësi administrative u dëmtuan 591 shtëpi dhe deri më tani janë 261 familje të cilat kanë përfituar nga grantet e rindërtimit për nivelin DS1, DS2 dhe DS3.

Ndërsa pjesa tjetër pritet të strehohet në shtëpitë që do rindërtohen në sheshin e rindërtimit i cili ka pak kohë që ka filluar nga puna.

Të gjithë banorët që janë pa shtëpi nga tërmeti trajtohen me bonus qiraje. Në total në të gjithë rrethin e Krujës janë 5053 shtëpi të dëmtuara, nga DS1-DS5.

1633 prej tyre përfshirë edhe banesa individuale dhe apartamente janë për demolim, ndërsa 140 janë për përforcim.

Siç dihet janë 2274 kontrata nga DS1- DS3 kontrata të lidhura të cilat kanë marrë lekët për rikonstruksionin e banesave dhe vlera totale shkon ne 682,300,000.00 lekë.

Është miratuar projekti dhe është bërë kërkesa për demolimin e objekteve i cili pritet të fillojë së shpejti, ndërsa Fushë-Kruja dhe ndonëse Thumana kanë avancuar më tepër me rindërtimin, Bubqi sapo ka filluar.