Atalanta kërkon befasinë kundër Real Madridit, Zidan: Nuk mund të jesh kurrë i qetë ndaj tyre

16 Mars 2021, 15:06

Real Madrid synon sonte të mbyllë pa shumë probleme çështjen e kualifikimit në çerekfinale të Champions League kundër Atalanta-s. ‘Galaktikët’, që janë 13 herë kampionë të Europës, kanë avantazhin e fitores 0-1 në ndeshjen e parë, por italianët kanë treguar jo pak cilësi dhe një suprizë në Spanjë nuk përjashtohet kurrë.

Për të eliminuar çdo surprizë Zidan duhet t’ia dalë pa Hazard, Mariano dhe Carvajal të cilët janë të dëmtuar, ndërsa Casemiro është me karton të kuq. Mungesa do të ketë edhe në kampin zikaltër të Gasperinit, që kundër Real ka të padisponueshëm Freuler dhe Hatebor, ndërsa në dyshime është futbollisti i kombëtares Berat Gjimshiti.

Trajneri i Atalantës Gasperini është shprehur se ky është një shans i madh të cilit ata duan t’i marrin maksimumin, ndërsa ka shtuar se nuk do të ndryshojnë mënyrën e lojës. Sakaq Zidan ka deklaruar se nuk është aspak i qetë pavarësisht fitores në ndeshjen e parë, pasi sipas tij Atalanta është një ekip që mund të bëjë keq në çdo moment.

Ndërkohë po sonte do të luhet ndeshja e kthimit mes Manchester City-t dhe Borussia Monchengladbach. Skuadra angleze ia doli 0-2 në përballjen e parë dhe nuk I duhet shumë punë për të prerë një biletë në çerekfinale. Gjithsesi duke parë ecurinë e City-t në Europë vitet e fundit vigjilenca duhet të jetë në maksimum.