Atentati/ Gazetari i Shqiptarja.com zbardh detaje të reja: Rraja u tradhtua nga gjurma e gishtit, në makinë u gjet edhe një pistoletë

5 Nëntor 2019, 14:00 | Përditesimi i fundit: 2019-11-05 14:38:58

TIRANE-Gazetari i Shqiptarja.com Elton Qyno i ftuar në studion e Report Tv u shpreh se Redjan Rraja u arrestua pasi u tradhtua nga shenjat e gishtave që u gjetën në makinën e autorëve që u gjet pas atentatit kundër prokurorit Arjan Ndoja. Gjithashtu ai thotë se në makinë nuk janë gjetur vetëm dy automatikë, por edhe një pistoletë. "Gjetja e padjegur e makinës ishte një provë e rëndësishme. Në pamundësi për ta djegur nga autorët, çoi në zbardhjen e këtij krimi. Bëhet fjalë për dy automatikë dhe një pistoletë dhe detaje të reja si bishta cigaresh të gjetura në makinës, janë çuar në laborator për t'u ekzaminuar. Fakti që është identifikuar njëri nga autorët, ka qenë një gjurmë gishti që është gjetur në derën e makinës. Krahasimi i saj ka çuar në arrestimin e tij.

Nga ata që kam biseduar unë më është konfirmuar se ka qenë një gjurmë gishti, analiza e ADN-së në një nga kapuçat, bishtat e cigareve dhe paketa është cuar për ekzaminim. Procesi i ADN-së është më i vështirë se krahasimi i gjurmës së gishtit. Tentativa e tij për largim, ka bërë që të merret në pyetje për vendndodhjen atë ditë dhe kontaktet që ka pasur atë ditë në Nikël dhe Fushë Krujë. Ka qenë gjurma e gishtit që solli identifikimin paraprak, por në vijim do të ketë të tjera detaje" tha ai.