Atentati ndaj Fatos Tushes/ Ish-shoferi e shantazhonte me dokumente kompromentuese

1 Janar 2020, 16:39

LUSHNJE - Qelizat telefonike të celularit të Gëzim Saraçit, i shpallur tashmë në kërkim për plagosjen me granatë dore të kryebashkiakut të Lushnjes, zbuluan se rreth një orë pas ngjarjes ai u lokalizua në rrethinat e Beratit. Por pavarësisht kontrolleve, Saraçi nuk është mundur të gjendet nga policia. Burime pranë grupit hetimor sqaruan se autori mund të jetë ndihmuar nga persona të tjerë duke u larguar drejt Beratit e ndërsa dyshimet janë se për t’ju shmangur kontrolleve të policisë, ai ka ndërruar disa automjete për t’u arratisur.

Në rrugë operative policia e Lushnjes ka siguruar informacione se Saraçi shantazhonte kryebashkiakun Fatos Tushen me dokumente kompromentuese që ai dispononte për shkak se për disa vite me radhë ka ushtruar edhe detyrën e shoferit te kreut të Bashkisë.

Të vetmit që janë marrë në pyetje deri më tasni janë disa nga punonjësit e Bashkisë Lushnjë dhe nga të dhënat e siguruara prej tyre ka rezultuar se Saraçi është larguar nga detyra në 2016-ën ndërsa objekt hetimi është edhe mënyra se si ai është paguar gjatë kohës që nuk ushtronte detyrën e shoferit të Fatos Tushes.

Mëngjesin e së martës, Tushe u sulmua me granatë dore në zyrën e tij ku mbeti i lënduar në shpatull e në këmbë. Po ashtu, e lënduar mbeti edhe sekretarja e Tushes, Erisa Qalliu. Si pistë kryesore hetimi është një borxh i pashlyer i Tushes ndaj ish-shoferit Saraçi, si dhe largimi nga puna i këtij të fundit.