Atentati ndaj shefit të Policisë Bashkiake/ Ilirjan Hasanaj u dorëzua në komisariat nga babai: Shkak një konflikt pronësie

16 Tetor 2020, 16:16

Zbardhet dëshmia e 19 vjeçarit Ilirjan Hasanaj, autorit te atentatit ndaj kreut të Policisë Bashkiake në Malësinë e Madhe, Mentor Hasanaj, pasi është vetëdorëzuar në polici mbrëmjen e djeshme.

19 vjeçari ka deklaruar se e ka qëlluar Mentor Hasanajn për arsye pronësie, duke pasur parasysh një konflikt të vjetër që kishte dëgjuar nga babai i tij. Hasanaj më tej shton se në momentin që ka qëlluar drejt makinës së shefit të policisë ka qenë nën efektin e alkoolit dhe e ka bërë pa e menduar një gjë të tillë.

"Unë e kam qëlluar shtetasin Mentor Hasanaj por e kam bërë pa paramendim. Nuk kam qenë i parapërgatitur për një gjë të tillë. Thjesht e kam parë duke kaluar ne rruge dhe i jam vënë mbrapa. Armën e kam patur më vete sepse ka pasur disa kohë që e kisha dhe nuk është se e kam marrë atë dite. I jam vënë mbrapa dhe e kam qëlluar por në ato momente kam qenë disi nën ndikimin e alkoolit.

Thjesht e kam parë rastësisht teksa kalonte me makinë dhe e kam ndjekur në atë moment. Arsyeja e plagosjes lidhet me një problem pronësie tonën. Eshtë nje konflikt i vjeter pronësie mes nesh dhe unë këtë histori e kam degjuar nga babai dhe kur e kam parë në atë moment duke qenë edhe i alkoolizuar e kam ndjekur dhe e kam qëlluar por nuk kam pasur një plan të përgatitur", ka thënë ai.

Në dëshmi ai ka sqaruar edhe rolin  23 vjeçarit Verzan Bajrakurtaj, për të cilin tha se nuk ka pasur lidhje me ngjarjen dhe as dijeni për plagosjen. Sipas tij Bajrakurtaj thjesht e ka ndihmuar që të largohej nga vendi i ngjarjes.