Aty ku heronjtë e heshtur luftojnë COVID-19, Report TV brenda spitalit COVID 2

4 Maj 2020, 14:14 | Përditesimi i fundit: 2020-05-04 17:14:32

Spitali "Shefqet Ndroqi" i cilësuar dhe COVID 2 ka rezervuar gjithmonë kureshtje jo vetëm për qytetarët por dhe vetë gazetarët të cilët prej 2 muajsh raportojnë nga terreni apo jashtë tij. Për herë të parë kamera e Report TV ka qenë brenda këtij spitali duke treguar situatën brenda saj, si trajtohen pacientë dhe se si duhet të mbrohet stafi mjekësor i maskuar nga koka tek këmbët për të shmangur infektimi nga koronavirus.

Gazetarja e Report TV, Doris Sallaku, e veshur me veshjet speciale dhe maskat mbrojtëse ndaj COVID-19 raportoi nga reanimacioni i këtij spitali ku ndodhej e shtruar vetëm një paciente 85-vjeçare nga qyteti i Shkodërs. Ajo ndodhet në terapi intensive pasi vuan edhe nga sëmundje bashkëshoqëruese si diabeti, por nuk është e intubuar. Në repartin e reanimacionit ndodhen gjithsej 8 shtretër dhe 7 respirator për të ndihmuar personat me probleme në frymëmarrje, por që aktualisht asnjëra nuk përdoret, pasi pacientët e infektuar nuk e kanë të nevojshme. Edhe pse në reanimacion ndodhet vetëm 1 paciente, një mjek dhe dy infermierë janë gjatë gjithë kohës aty për të monitoruar situatën.