Aurela, studentja ekselente e mjekësisë me dy medalje ari, bursë studimi në Gjermani

17 Shtator 2019, 20:44

Aurela Kulloli është studentja ekselente e Fakultetit të Mjekësisë e cila është diplomuar me të gjitha dhjeta. Mundi dhe përkushtimi i Aurelës është vlerësuar me dy medalje ari.

Aurela ishte vetëm 18 vjeç kur la shtëpinë e saj në Elbasan për të ndjekur ëndrrën e mjekësisë në Fakultetin e Mjekësisë në Tiranë. Ajo na shoqëroi për në konviktin ku ka qëndruar përgjatë viteve të studimit, larg familjes. Qëndrimin në konvikt, Aurela e ka ndarë së bashku me shoqet e saj.Si u ndjeve kur erdhe fillimisht në Tiranë për të studiuar në Fakultetin e Mjekësisë?

Fillimi I çdo gjëje është i vështirë, sidomos kur largohesh për herë të parë nga familja ku je rritur me mamin, babin, motrën dhe duhet të vish në një ambient ku nuk ke vetëm ndryshimin e shtëpisë. Do rrish në një dhomë me vajza të tjera në konvikt, por nga ana tjetër do kesh shumë njohje të reja në fakultet, do kesh njohje në konvikt, në mendjen tënde bëhet një kaos i vërtetë. Njohja me rrugët e Tiranës, shumë gjëra, por aq është e vështira sa të ambientohesh dhe pastaj mësohesh dhe je njësoj si në shtëpinë tënde.

A u përshtate me jetesën në konvikt?

Jam përshtatur dhe ja kam kaluar shumë mirë me shoqet që kam pasur. Më shumë më ka pëlqyer të rrija në sallë të studimit. Kuptohet dhe me rezultatet që kam patur, salla më ka ndihmuar shumë dhe ja kam kaluar shumë mirë dhe me vajzat aty duke studiuar, ndonjëherë duke bërë edhe shaka sepse salla ishte e vogël dhe me kalimin e kohës jemi njohur me të tëra vajzat.

Në çfarë ore zgjoheshe për të shkuar në fakultet?

Duke qenë se QSUT dhe konvikti janë afër, mua më duhej vetëm 40 minuta përpara se të kisha orën e mësimit,që të zgjohesha, të haja vezën e zier pastaj me vrap të shkoja në fakultet.

Aurela na ka treguar rrugën që përshkonte nga konvikti drejt Fakultetit të Mjekësisë çdo mëngjes përgjatë 6 viteve të studimit.

Si ja ke kaluar 6 vite në fakultet?

Kur mendoj se kanë kaluar 6 vite, mua më duket sikur jam akoma këtu në ditën e parë. Gjashtë vite, nëse do ti merrja ditën e parë do thoja uou sa të rritur që janë këta që po diplomohen. Ndërkohë tani që jam diplomuar më duket vetja akoma studente, nuk e kuptoj se ku kanë ikur këto 6 vite.

Për një student të ekselencës, e cila është vlerësuar gjithmonë me notën 10, duket se vendimi për të qëndruar në Shqipëri apo për tu larguar jashtë, nuk është i lehtë.