Autobusi në flakë në Rrugën e Kombit, kompania: U dogj nga vapa

13 Gusht 2019, 09:22

Pas djegies së autobusit të linjës Durrës-Mitrovicë dje në Rrugën e Kombit ka reaguar kompania që e kishte në pronësi. Kompania përmes një komunikate tregon shkaqet sipas saj të djegies së autobusit në Rrugën e Kombit, pranë Repsit pasditen e djeshme, ku fatmirësisht përveç dëmeve materiale nuk ka pasur pasoja tjera.

"Të gjithë pasagjerët dhe stafi i kompanisë janë shëndoshë e mirë, pasi nuk kanë pësuar asnjë dëmtim të vetëm. Për hir të transparencës ju njoftojmë se autobusi ka qenë në gjendje të rregullt teknike, mirëpo si duket deri te ky dëmtim ka ardhur si pasojë e temperaturave të larta. Të gjitha linjat tona do të vazhdojnë qarkullimin" thuhet në reagimin e kompanisë.

Por pavarësisht asaj që deklaron kompania, nga të dhënat paraprake dyshohet se shkak është bërë një defekt në sistemin elektrik që ka shkaktuar më pas zjarrin në motor dhe djegien e autobusit.

Autobusi ishte i mbushur me pushues nga Kosova, të cilët kanë qenë duke u kthyer nga Shqipëria drejt Kosovës, teksa mjeti mori flakë në lëvizje. Report Tv dhe Shqiptarja.com sollën të parët pamjet e autobusit në flakë.