Autoriteti i Konkurrencës nis hetimin për depot farmaceutike: Mos rrisni çmimet, furnizoni tregun

19 Mars 2020, 14:37

TIRANË- Menjëherë pas lajmeve që qarkulluan në media për rritjen e çmimeve të produkteve mjekësore në nivel tepër të lartë dhe ankesave të vazhdueshme të qytetarëve, që Autoriteti i Konkurrencës ka vendosur të nis hetim mbi tregun e shitjes me shumicë dhe pakicë të materialeve paramjekësore. Sipas vendimit të Konkurrencës monitorimi u fokusua në tregtimin e materialeve dezifektant duarsh, alkool dhe maska, për të cilat kërkesa konsumatore ka qenë në rritje si pasojë e situatës së krijuar nga virusi COVID-19.

Nga kontrollet është konstatuar se  tregu ka mungesë të materialeve në nivelin e rrjetit farmaceutik, si dhe ka pasur një rritje të pajustifikueshme e çmimit në të gjitha nivelet e tregtimit të këtyre materialeve si nga depot farmaceutike ashtu edhe nga rrjeti i farmacive. Sipas Konkurrencës me këtë rritje të çmimeve të materialeve paramjekësore është shkelur ligji për mbrojtjen e konkurrencës, për këtë arsye është vendosur si masë e përkohshme ndalimin e sjelljes së ndërmarrjeve në rrjetin e tregtimit me shumicë dhe pakicë të materialeve paramjekësore, të cilat në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë vendosin çmime apo kushte të padrejta tregtimi.Autoriteti i Konkurrencës paralajmëron rrjetin farmaceutik se nëse nuk zbatohen masat e përkohshme, ndërmarrjet do të ndëshkohen me gjobë deri në 10 % të xhiros vjetore për shkelje të rëndë të konkurrencës.