Babai donte ta vriste, u arrestua se ndiqte modën...mbeti shtatzënë 17-vjeç! Sot kërkon në 'Pa Gjurmë' vajzën që lindi në burg

6 Mars 2020, 20:31 | Përditesimi i fundit: 2020-03-06 20:57:58

Rrëfen për herë të parë në “Pa gjurmë” sekretin e madh të jetës. E burgosur dhe më pas e internuar, një nënë nga Durrësi është në kërkim të vajzës që lindi 39 vite më parë prapa hekurave të burgut. Ishte në qeli kur mësoi se do të bëhej nënë dhe një 18 vjeçare kur u nda prej saj. Dashurie Begaj ka ardhur nga Italia për të rrëfyer një jetë në udhëkryq që nga dita kur me martesën e të atit pas vdekjes së nënës, njerka e dëboi nga shtëpia.

“Isha një 11-vjeçare, më vdiq nëna dhe babai u martua pas 40 ditëve. Njerka solli dhe një vajzë. Në fillim më donte, por pastaj, për faktin se unë ndihmoja komshinjtë e lagjes me ushqime, ajo më mori inat. Babai donte të më vriste, më erdhi në shkollë, pastaj në shtëpi dhe dola nga dritarja. Flija sa tek një kushërirë tek tjetra. Kur vëllai iku ushtar më përzunë fare nga shtëpia. As babai nuk më donte, se e frynte njerka. Nëna më vdiq në moshën 38-vjecare. Në Nishtulla jetonim atëherë, në Durrës. Vitet kaluan dhe unë një herë shkoja në shtëpi dhe një herë më nxirrnin jashtë. Babai më qethi kokën kur isha 14 vjeçe. Më pëlqente të shihja filma. Si përfundim nuk më mbajtën më në shtëpi", tha ajo.Adoleshentja ishte kundra rrymës që imponohej nga regjimi komunist. Kjo i kishte rënë në sy regjimit, të cilët e arrestuan të renë për sjellje "jo të hijshme". Në pritje të një vendimi, gjatë seancës së zhvilluar i ati dëshmoi kundër së bijës, duke mos e pranuar më në shtëpi. Dashuria burgoset, në Belsh të Elbasanit, moment kur merr një tjetër rrjedhë jeta e saj.