'Babai i radiatorëve', mjeshtri Gramoz Habilaj: Këtu kam gjetur Amerikën, kush do të punojë nuk ka pse emigron

21 Shkurt 2021, 12:21

Në Fier e njohin të gjithë, madje e thërrasin "babai i radiatorëve". Është mekaniku Gramoz Habilaj 63 vjeç, i cili punon pa ndalur prej 3 dekadash.

"Kam 30 vite pune dhe përgatis të gjitha llojet e radiatorëve, ky profesion ka një të mirë dhe një të keqe. Të lodh shumë, por në fund kënaqesh kur shikon një rezultat të mirë, merr dhe të ardhura", tha usta Gramozi.

Në servisin e tij të automjeteve në aksin nacional Fier-Tiranë ndodhen me mijëra pjesë që shërbejnë për radiatorët.

"Këtu kam 2000 kapakë të radiatorëve nga e gjithë Republika dhe këtu nuk do ikësh. Po erdhe do gjesh zgjidhje tek Usta Gramozi", tha ai 

Ndryshe nga bizneset e tjera, pandemia nuk ka patur asnjë ndikim në punën e tij.

"Unë i kam zgjidhur se u jap garancinë dhe sot kam të gjitha materialet dhe arrij që sot plastikën e ngjis me plastikë, alumin me alumin, po punova mirë do marr lekë shumë. Kur mbaroj punën i them se po të mora lekët do të jap garanci për 10 vite", tha usta Gramozi.

Amerika për mjeshtër Gramozin është në Shqipëri. Ai asnjëherë nuk e ka parë të nevojshme të emigrojë.

"Sot mund të më japësh Amerikën dhe Kanadanë, unë këtu e realizoj vetë të gjithë Evropën dhe Amerikën, të gjitha i kemi të mirat këtu, po do të punosh", tha ai.

Në servis Gramoz Habilaj ka punësuar disa djem që thotë se i paguan mirë. Është e rëndësishme shprehet 63-vjecari që të rinjtë të marrin një profesion të mirëpaguar.