TIRANE - Report Tv zbulon detaje të reja nga dosja "Babale 1". Në dosjen hetimore të Prokurorisë së Krimeve të Rënda përfshihen 340 faqe përgjime te Albert Veliut i njohur ndryshe si "Babalja" me kunatin e tij, Fredi Alizoti, pasi kishin realizuar audiopërgjimin e pretenduar të Agron Xhafajt, vëllait të ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj.
Nga përgjimet del se mes protagonistëve bisedohet për pazare parash. Përgjimet kanë zgjatur për rreth 60 ditë. Në këto biseda rezulton se Fredi Alizoti bisedon me Albert Veliun për likuidimin e punës së bërë. Gjatë muajit qershor kur datojnë edhe përgjimet ndërsa opozita sulmonte ashpër ministrin Xhafaj, Alizoti shfaqet i shqetësuar dhe telefonon shpesh, jo vetëm sepse nuk po merrte shumën e premtuar për aktrimin, por edhe sepse mediat po shkruanin për arrestime.
Prokuroria e Krimeve të Rënda thotë se në 3 biseda, Alizoti pranon qartësisht se kishte imituar Agron (Geron) Xhafajn dhe se shprehet i zhgënjyer që Albert Veliu nuk i kishte dhënë paratë, edhe pse i ishin premtuar një shumë e konsiderueshme. Nga përgjimet del se Albert Veliu dhe kunati i tij do merrnin secili nga 100 mijë euro për punën e bërë në audiopërgjimin e pretenduar si të Agron Xhafajt. Në 6 qershor, zhurma politike po kryqëzonte ministrin e Brendshëm dhe kur Albert Veliu gjendej në Kosovë, ai flet me Fredi Alizotin për çështje lekësh dhe për likuidim të punës së bërë. Fredi Alizoti tregon se kishte takuar person tjetër për të cilin Albert Veliu i thotë që t’i kërkojë pagesën.
Fredi Alizoti: E takova. Jo këtej, jo andej, jam keq, po dridhej.
Albert Veliu: Ore, thuaji, bëj likuidimin që kemi lënë thuaj, kaq asgjë në botë. O Fredi vëlla, se me atë s’kam lidhje fare kontakti. Besomë, se jam në azil. Për shpirt të plakës. Unë flas me anë të tjetrit me kosovarin. Thuaj, o vëlla më bëj likuidimin, si e lamë, thuaj.
Në të njëjtën ditë, Alizoti dhe “Babalja” flasin sërish, ku ky i fundit e vë në dijeni se e kishin mbajtur katër orë dhe e kishin pyetur. Por pjesa më e rëndësishme është biseda që Alizoti bën me numrin 974 në 12 qershor. Aty, Alizoti tregon se ka bërë rolin e Agron Xhafës.
Fredi Alizoti: Ai muhabeti jam unë. E kape filmin ti? Unë bëra sikur isha vëllai i atij, e ke parasysh? Dëgjon, bëra sikur isha vëllai i atij? Do merrnin nga një qindshe për njeri, dyqind përnjëherë. Ai më tha mua do marrim njëqindshe. Unë i thashë mirë një qindëshe, i thashë nëm një 20 tëshe, e kupton vëlla, asnjë 20 asgjë iku ky muhabet.
Dy ditë më parë Prokuroria e Krimeve të Rënda urdhëroi arrestimin e "Babales" dhe kunatit të tij Fredi Alizoti të cilët akuzohen për kallëzim të rremë. Ka qenë pikërisht kunati i Babales ai i cili ka imituar zërin e Agron Xhafajt, vëllait të ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj si i implikuar në një linjë trafiku kanabisi drejt Italisë. Ndërsa për gazetarin Jetmir Olldashi, Prokuroria vendosi detyrim paraqitje.
Masat e Prokurorisë së Krimeve të Rënda erdhën pas mbërritjes së përgjigjes së ekspertizës së audiopërgjimit nga një laborator në Britaninë e Madhe nga ku ka rezultuar se materiali është i montuar dhe nuk kemi të bëjmë me zërin autentik të Agron Xhafajt.
