‘Babalja’ konspiracion për të rrëzuar qeverinë? Basha: Rama si Enver Hoxha, ‘aktori’ lojë e tij

9 Tetor 2018, 15:21

Dosja ‘Babale’ vijon që të jetë kryefjalë, ndërsa pas zbulimit të përgjimeve ku kunati i Albert Veliut pranon se ishte ai personi që imitoi Agron Xhafajn, sot ka pasur replika mes kryeministrit Edi Rama dhe kryetarit të PD, Lulzim Basha.

Shefi i qeverisë tha sot se ‘Babalja’ është një konspiracion i përgatitur në dy skuta dhe që kishte për qëllim rrëzimin e qeverisë. Por Basha reagoi gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët duke e krahasuar Ramën me Enver Hoxhën.

Ka zbuluar konspiracion nga opozita për të rrëzuar pushtetin popullor. Vetëm një mendje e sëmurë mund të ketë një imagjinatë të tillë banale duke paraqitur lidhjet kriminale si konspiracion si në kohën e Enver Hoxhës.

Lulzim Basha

Për liderin demokrat nuk ka asnjë dyshim që zëri në audio-përgjim është i Agron Xhafajt, vëllait të ministrit të Brenshëm Fatmir Xhafaj.

Zëri është i Agron Xhafajt, ka qenë i përfshirë në trafikun e drogës. Në ekspertizë u dërgua zëri me cilësi të dobët. Prokuroria nuk ka asnjë fakt që ka manipulim. Në hetimin e prokurorisë mungon plotësisht Agron Xhafaj.

Lulzim Basha

Referuar zbardhjes së përgjimeve, ku kunati i Albert Veliut, Fredi Alizoti pranon se ishte ai aktori në audio-përgjim, Basha e cilësoi si një lojë banale, ndërsa lëshoi akuza të forta në drejtim të prokurorisë.

Aktori i vetëakuzuar dhe vetëofruar është një lojë banale dhe e trashë e krerëve të policisë dhe prokurorëve nën udhëzimin e Fatmir Xhafajt. Kjo është një vepër e rëndë penale, do të përballen me drejtësinë. Unë po pres të shoh sa shumë do të zhyten në këtë histori, Rama, policia dhe prokuroria. Presim të shikojmë ekspertizën italiane, apo refuzimin e Italisë. Pres konkluzionet për hetimin e pasurisë së Agron Xhafajt. Po pres që prokuroria të marrë në pyetje Ramën dhe Xhafajn.

Lulzim Basha

    No videos found.