TIRANE-Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar sot se do të dalin të gjithë emrat që janë të përfshirë në dosjen ‘Babale’, e cili rezultoi montazh dhe që prokuroria ka kërkuar arrest me burg për Albert Veliun dhe kunatin e tij Fredi Alizoti, i cili nga përgjimet e zbardhura nga Report Tv ka pranuar se do të merrnin 200 mijë euro nga PD.
Në përgjimet e zbardhura nga Report Tv zbulohet se Albert Veliu ka takuar në fillim deputetin e PD-së Ervin Salianji. I pyetur nga Report Tv nëse ka deputetë nga opozita që meritojnë të përballen me akuza penale për dosjen ‘Babale 1’, Rama tha se i di të gjitha dhe pret që të dalë e vërteta e plotë.
Ua kam lënë juve të bëni gazetari, do i jepnit përgjigje shumë thjeshtë këtyre pyetjeve dhe shumë më parë se prokuroria të arrinte në gjysmë konkluzionet deri tani. Unë i di të gjithë, por nuk dëshiroj që të them më tepër. Kam angazhuar një grup për të gjithë këtë dhe pres që e vërteta të dalë e plotë. Nuk kam për ta lënë edhe sikur të zbutet, unë nuk jap vendime.
Edi Rama
Gjithashtu shefi i qeverisë akuzoi se skenari për ketë konspiracion për rrëzimin e qeverisë u përgatit në dy skuta shtetërore, por nuk pranoi që të përgjigjej kur u pyet sërish nga Report Tv nëse njëra nga këto ishte SHISH.
Kam qenë i zënë dje me demaskimin e Kinostudios dhe nuk kam parë ndonjë platformë, por në filmin Babale 1 në bashkëpunim me elementë të krimit, kemi korrupsion, kemi përfshirje të drejtpërdrejtë të partisë politike në bashkëpunim edhe me oferta korruptive dhe kemi edhe më shumë se kaq, sepse filmi është konceptuar dhe skenari është shkruar në dy skuta, unë do i ftoja të jepnin një ndihmesë për publikun që kjo shfaqje ekstreme të mos kalojë si një shfaqje e radhës. Skenari është përgatitur në dy skuta. Shqiptarët do e mësojnë me emra dhe me mbiemra kush është përfshirë në këtë konspiracion për rrëzimin e qeverisë.
Edi Rama
Më pas Rama u rikthye sërish te dosja ‘Xhisiela’ ku theksoi se nga kqyrja e kamerave të sigurisë, Taulant Balla nuk ka qenë në komisariatin e Fushës Krujës në 21 korrik, por as vetë Nuhu që denoncoi.
Kamerat e Fushë Krujës kanë të vërtetën brenda, u tha në deklaratë, por nuk është detyra ime të bëj punën tuaj as të krijoj idenë që po ndërhyj. Kamerat janë në prokuroi, shkoni gjeni Ballën dhe oficerin ditën që thotë se i kanë vënë revolen.