'Babalja'/ Salianji publikon audion e përgjimeve: Drejtori i Policisë Fier pagoi Alizotin

22 Mars 2019, 17:11

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji i njohur për denoncimin e 'Babales' dhe i marrë i pandehur për kallëzim të rremë për këtë çështje ka publikuar një tjetër audio e cila është në dosjen e përgjimeve të prokurorisë, të pretenduar mes drejtorit të Policisë së qarkut të Fierit, Bert Bushi dhe Fredi Alizotit, kunati i Albert Veliut, i njohur si 'Babalja'.

Ky i fundit tashmë ndodhet në Hungari, pasi ka kërkuar azil politik pas arratisjes nga Shqipëria. Salianji publikon audion e bisedës ndërsa shton se është pjesë zyrtare e dosjes 'Babale' në prokurorinë e Krimeve të Rënda. Biseda është regjistruar, sipas Salianjit në 18 qershor të vitit të kaluar, pasi skandali "Babale" kishte shpërthyer.

"Drejtori i Policisë së Fierit paguan dëshmitarin e rremë, Fredi Alizoti. Në pafundësinë e komunikimeve mes zyrtarëve të policisë dhe dëshmitarit të sajuar për Xhafajgate! Komunikimi ne 00:30 të natës mes drejtorit të policisë Fier dhe Alizotit pasi ka dhënë dëshminë e sajuar! Përgjimi është zyrtar i Prokurorisë

Fredi Alizoi ka dhënë dëshminë sipas porosisë së dhënë nga qeveria, ky numri është i Bert Nushit, drejtori i policisë së qarkut të Fier. Si komunikojnë këta në një prej përgjimeve, oora 00:28 e natës, për të kuptuar si funksionon shteti dhe ligji" shkruan Salianji.

Biseda e zbardhur
Numri 0676494091-i pretenduar i Fredi Alizotit:
Numri 694110316-i pretenduar i drejtorit të policisë së Fierit, Bert Nushi:

Bert Nushi: Fredi, Fredi...
Fredi Alizoti: Urdhëro
Bert Nushi: Ca po bën?
Fredi Alizoti: Ai është b.q. prokuror
Bert Nushi: Ku je, ore ku je?
Fredi Alizoti: Do më dëgjoj mua apo jo?
Bert Nushi: Ku je, ore ku je?
Fredi Alizoti: Dëgjo mua tani
Bert Nushi: Ku  je, ore në Fier?
Fredi Alizoti: Unë jam në Tiranë
Bert Nushi: Shumë mirë
Fredi Alizoti: Unë atë që kam nisur nuk e kthej më pas të kam q.r
Bert Nushi: Çfarë të tha?
Fredi Alizoti: Më tha nesër në mëngjes, po më thuaj mua zotëri, jam zoti prokuror, i thashë të kam q...motrën...
Bert Nushi: Fredi, dëgjua mua pak
Fredi Alizoti: Nuk më rruhet mua...E ka marrë përsipër Gramozi. Nuk e di si më lini mua në rrugë v..k... E ka marrë në dorë Gramozi, fola me atë se i bëra parapritë, jam i zoti
Bert Nushi: Se jam në një vendngjarje tani, cfarë do?
Fredi Alizoti: Dua dicka, se kam mbetur rrugëve
Bert Nushi: Çfarë do nga unë? Tani jam në Fier kam një ngjarje në Ballsh...
Fredi Alizoti: E mban mend ku më le radhën e parë, më dërgo njeri të më marrë ku më ke lënë radhën e parë. E mban mend?
Bert Nushi: Po, mbaj mend, po Tiranën pak e njoh
Fredi Alizoti: Jepi numrin e telefonit të më marrë
Bert Nushi: Mua mundet të mos më kapë telefoni se jam në një vend këtej, po do të nis unë njeri unë aty me lekë..
Fredi Alizoti: E more vesh, e kape, e do troç, e kape muhabetin...ej jam në mes të rrugës
Bert Nushi: Po, po, të kuptoj

Ervin Salianji u mor i pandehur për kallëzim të rremë
Në datë 6 mars të këtij viti prokuroria mori të pandehur ish-deputetin e Partisë Demokratike Ervin Salianji për dosjen 'Babale'. Salianji është marrë i pandehur, pasi rezultoi si personi që kontaktoi me Albert Veliun dhe nëpërmjet gazetarit Jetmir Olldashi publikuan në selinë e PD audio-përgjimin e rremë. Kjo vepër penale, kallëzim i rremë sipas nenit 305 të kodit penal ka një marzh dënimi nga gjobë deri në 5 vite burg.

Përmes një audio-përgjimi të publikuar në një media online në Shqipëri vitin e kaluar, dhe që më tej u kthye edhe në akuzën e opozitës ndaj qeverisë, u pretendua se Agron Xhafaj, vëllai i ish-ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, fliste me Albert Veliun, njohur si "Babale" për pazare droge. Por zëri i audios rezultoi të mos ishte i Agron Xhafës.

Nga tjetër, sipas përgjimeve të Prokurorisë të cilat "Shqiptarja.com" i publikoi ekskluzivisht vitin e kaluar, Fredi Alizoti, në biseda telefonike me "Babalen" por edhe persona të tjerë si Florenc Hoxha dhe Erzen Breçanin, ish-policë në kohën e PD, thotë se zërin e Agron Xhafajt e ka bërë ai, si dhe për vënien në jetë të këtij skenari do paguheshin 200 mijë euro nga Salianji.

Alizoti që tashmë ndodhet në burg, shprehej i zhgënjyer me Albert Veliun, i cili nuk i ka dhënë asnjë lek dhe ishte larguar për azil. Ndërkohë që cështja për Babalen (Albert Veliun) dhe kunatin e tij është e veçuar për shkak se hetimet ndaj Salianjit nisën në kohën kur ai ishte deputet. Ndërkohë që pas publikimit të audio-përgjimit vëllai i ish-ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafa, Agron Xhafa la kampionin audio të zërit të tij në prokurori dhe u largua për t'u dorëzuar drejtësisë në Itali ku kishte për të vuajtur edhe 4 vite burg.

d.ba.