Kampioni i vogël, Alvin Berisha i cili u shpëtuar nga kampi fatkeq, 'Al Hol' në Siri, dhe ditën e djeshme mbërriti pranë familjes në Itali, ka realizuar edhe takimin e shumë pritur me një person shumë të veçantë për të. Është pikërisht gjyshi i tij.
Në videon e publikuar në rrjetet sociale, shihet edhe momenti prekës, ku Alvin takohet me gjyshin e tij, të cilin e kishte kërkuar që në kohën kur ishte në kampin sirian.
Takimi me gjyshin ishte shumë i përmallueshëm dhe Alvin nuk i ndahet së përqafuari, pasi nuk e kishte parë prej 5 vitesh, që kur ishte rrëmbyer nga e ëma për t'iu bashkuar luftëtarëve të ISIS.
Alvini u rikthye ditën e djeshme në shtëpi, duke u dhënë fund kështu një kalvari vuajtjesh që prej 5 vitesh.
11-vjeçari iu dorëzua familjes nga punonjësit e Kryqit të Kuq dhe Gjysmë Hënës së Kuqe. Më pas Presidenti i Kryqit të Kuq Italian, përfaqësuesi i Gjysmë Hënës së Kuqe Siriane, zyrarët italianë dhe ministri Sandër Lleshaj treguan në një konferencë për mediat detajet e operacionit si u arrit që të nxirrej fëmija shqiptar nga kampi.