Balaj dhe Uzuni i japin fitoren Shqipërisë në miqësoren kundër Kosovës në Elbasan

11 Nëntor 2020, 19:09 | Përditesimi: 11 Nëntor 2020, 19:09

Kombëtarja shqiptare i ka kthyer ‘nderin’ Kosovës në ndeshjen miqësore të zhvilluar në Elbasan Arena. Kuqezinjtë kanë fituar 2-1, duke u hakmarrë ndaj ‘vëllai të vogël’ për atë disfatë 0-3 në favor të dardanëve dy vite më parë.

Ndonëse ekipi i drejtuar nga Reja zbriti në fushë me shumë risi, pasi tre debutues si Doka, Çepele dhe Hoxhallari e nisën nga minuta e parë, kombëtarja dhuroi një parqitje për t’u lavdëruar në fushën e lojës. Për të parë golin e parë duhej të vinte minuta e 31 kur Uzuni pas një ikursioni dha një asisit të bukur për Balajn që nuk fali.

Goli i jep krahë kombëtares dhe në pjesën e dytë, ekzaktësisht në minutën e 65, Uzuni konkretizoi një kundërsulm të asistuar nga Selahi. Nga ky moment kuqezinjtë ulën disi ritmin dhe në minutën e 85 do të ndëshkoheshin nga Muriqi, që ktheu në gol një penallti të fituar po vetë.

Duke përfshirë edhe shtesën, tetë minutat e mbetura nuk mjaftuan për ‘dardanët’ për të dalë me një barazim nga Shqipëria. Për këtë takim duhet theksuar se Kosova nuk pati në pankinë trajnerin Shaland, i cili pak orë para ndeshjes u konfirmua pozitiv me koronavirus.

Përsa i përket kombëtares kuqezi, të dielën dhe të mërkurën e presin dy ndeshjet e rëndësishme për fatet e saj në Ligën e Kombeve kundër Bjellorusisë dhe Kazakistanit.

SHQIPËRIA: Berisha, Doka, Ismajli, Çepele, Hoxhallari, Laçi, Selhai, Ramadani, Uzuni, Seferi, Balaj.

b.ha./Shqiptarja.com