Balaj kërkon kthesën kundër Andorës, Uzuni: Ndihem keq për largimin e Panucci-t

23 Mars 2019, 17:05

Kombëtarja shqiptare e futbollit ka zhvilluar sot në Durrës seancën e parë stërvitore pa praninë e Christian Panucci-t, trajnerit që u shkarkua mëngjesin e së shtunës pas disfatës 0-2 ndaj Turqisë. Gjithsesi skuadra nuk ka kohë të ‘vajtojë’ pasi të hënën do të luhet ndeshja e dytë eliminatore kundër Andorës. Në prag të këtij takimi për mediat kanë folur dy futbollistë të Kombëtares. Fillimisht Uzuni komentoi kundërshtarin e radhës, ndërsa I pyetur nëse ndihet keq për shkarkimit e Panucci-t përgjigjet:

“Normalisht që ndjehem, por ne luajmë për Shqipërinë dhe rrespektojmë çdo trajner që vjen. Nëqoftëse dikush e meriton do të luajë edhe me trajnerin e ardhshëm.”

Ndërkohë sulmuesi Bekim Balaj i petur për seancën e parë stërvitore pa praninë e Panucci-t shprehet:

“Sigurisht që ne vazhdojmë punën pasi kemi një ndeshje shumë të rëndësishme para. Vijmë pas një humbje në ndeshjen e parë dhe në sfidë ne Andorën fitorja është detyrim për ne. Jemi të përqendruar në maksimum te kjo ndeshja.”

Më tej ‘bomberi’ shkodran i kombëtares u përpoq të thoshte se ka ende shpresë që Shqipëria të kualifikohet.

“Gjej rastin të falenderoj tifozët për mbështetjen që na dhanë në Shkodër. Ishte atmosferë e zjarrtë por më vjen keq që nuk i shpërblyem me një fitore. Siç thashë është ndeshja e parë dhe rrugëtimi është I gjatë. Shumë e vështirë porn a duhet mbështetje e tifozëve, mbështetja e të gjithëve për të arritur atë objektiv që kemi vendosur për eliminatoret.”