Balla: Burg për ata që prishin zgjedhjet dhe një përgjigje opozitës për Patozin

25 Prill 2019, 10:55

Kryetari i grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla ka bërë thirrje për nisjen menjëherë nga puna për Reformën Zgjedhore, pasi i plotësua Komisioni i Posaçëm me emrat e rinj nga opozita. Nga foltoja e Parlamentit, Balla tha se PS, ka kusht të vetëm votën e shqiptarëve jashtë vendit, e ndërsa sa i përket propozimeve të tjera është gati t'i miratojë, për aq kohë sa do të sjellin mbajtjen e zgjedhjeve të ndershme.

"Është një moment i rëndësishëm për rivijimin e punës për Komisionin e Posaçëm të Reformës Zgjedhore. Unë do t'i nxisja të gjithë anëtarët e komisionit që të lënë mënjanë flamujt e partive, por të punojnë për një reformë, duke adresuar rekomandimet e OSBE ODIhr dhe hulumtuar të gjitha mundësitë për të bërë një reformë zgjedhore. Të ketë një diskutim të hapur me të gjithë aktorët politik në vend. Nuk kishim asnjë kusht. Paraardhësve u kam thënë merrni një letër të bardhë dhe shkruajeni si të doni reformën zgjedhore dhe ne do ta miratojmë, sepse e rëndësishme është që zgjedhjet të jenë të lira dhe demokratike. Të fillojmë punën për të ashpërsuar dënimet lidhur me pjesën negative të zgjedhjeve, atë të shitblerjes së votës. Nga LSI në grup të pavarur, partia që ka damkën më të turpshme të blerjes së votës. Shumë mirë që deputetët kërkojnë bashkëpunim për të luftuar shitblerjen e votës", tha Balla.

Duke iu kthyer përgjigje deklaratave të ish- kryeministrit Sali Berisha, për një '97-të të dytë, deputeti tha se shqiptarët kanë ndryshuar dhe se është e pamundur që të ripërsëritet ajo pjesë e historisë.