Balla: Nuk biem pre e skenareve të opozitës, studentët të pranojnë dialogun me qeverinë

17 Dhjetor 2018, 14:36

Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla ka folur këtë të hënë për protestën studentore, që tanimë i është futur ditës së 14-të. Balla u shpreh për mediat se qëndrimi i qeverisë vazhdon të qëndrojë i njëjti, duke theksuar se dialogu midis saj dhe studentëve duhet të shkojë përtej tetë pikave të parashtruara. Balla tha se qeveria nuk do të bëhet pjesë e skenarit të opozitës dhe e cilësoi seancën plenare të  së enjtes së kaluar si një skenar ku kërkesat e studentëve u vendosën në lojë. 

Tetë pikat nuk e zgjidhin situatën e Arsimit të Lartë. Në protestë nuk janë vetëm studentë sepse pashë 3 punonjës të Bashkisë Kamëz... Rëndësi ka vetëm dialogu midis qeverisë dhe studentëve dhe ne kemi dhënë modelin më të mirë të enjtjen e të premten. U bëj thirrje të gjithë studentëve anembanë vendit që të vijnë në sallën e Kuvendit të Shqipërisë ballë për ballë me Kryeministrin.

Taulant Balla, Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së 

I pyetur për Ligjin e Arsimit të Lartë, Balla tha se, ndonëse implementimi i tij nuk është në tërësi dhe thellësi,kjo nuk e hedh poshtë rëndësinë e autonomisë së universiteteve publike. Balla ritheksoi se krahas tetë pikave, studentët dhe qeveria duhet të ballafaqohen në Kuvend edhe për cështje të tjera të rëndësishme që ndikojnë drejtpërdrejtë në Arsimin e Lartë.

I pyetur edhe për kthimin mbrapsht të dekretit për Buxhetin 2019, deputeti socialist u shpreh se është e padëgjuar dhe paparë ndonjëherë që presidenti i një vendi të kthejë buxhetin.