Balla takim me gratë në Elbasan: Drejtësia e fortë është mburoja dhe mbrojtja më e mirë

5 Prill 2021, 20:36 | Përditesimi i fundit: 2021-04-05 20:41:05

Drejtuesi Politik i Partisë Socialiste në qarkun e Elbasanit, Taulant Balla ka zhvilluar një takim me gratë në Rajonin 5 në Elbasan.

Në fjalën e tij Balla tha se gratë dhe vajzat kanë parë tek Partia Socialiste më shumë përfaqësim, ndërsa shtoi se një drejtësi e fortë është mburoja dhe mbrojtja më e mirë e tyre.

“E vërteta është që Elbasani deri në 2013-ën këtu ishte. Ne të gjithë biem dakord që nëse ka filluar një proces transformues i këtij qyteti, ka filluar pasi Edi Rama erdhi në krye të qeverisë. Gratë dhe vajzat e Elbasanit kanë parë tek PS një parti që u jep më shumë përfaqësim grave dhe vajzave. Është sot fakt që Shqipëria është në 5 vendet e para në botë për atë që unë e quaj barazia gjinore në përfaqësim.  Ne kemi 8 gra dhe 8 burra në përbërjen e Këshillit të Ministrave. Në këtë Parlament tashmë me ligj do të kemi 1/3 e Parlamentit me gra dhe vajza. Kur flasim për Reformën në Drejtësi, gratë dhe vajzat e mbështesin më shumë këtë Reformë. Një drejtësi e fortë, një shtet i fortë është mburoja dhe mbrojtja më e mirë e grave. Në drejtësinë e vjetër, drejtësia fitohej vetëm duke paguar dhe gratë dhe vajzat e Elbasanit sot më shumë se kurrë duhet të mbështesin Edi Ramën që ka krijuar jo vetëm më shumë përfaqësim të drejtë për gratë, por që ka krijuar instrumentat e duhur ekonomikë për të mbështetur gratë”, tha Balla.