Balla takim me shqiptarët që jetojnë në Londër: Të garantohet vota e emigrantëve në 2021

30 Nëntor 2018, 14:35 | Përditesimi i fundit: 2018-11-30 16:52:25

Gjatë vizitës së tij në Londër, Britani e Madhe, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Taulant Balla i shoqëruar nga deputeti Alket Hyseni dhe kryetari i Bashkisë së Librazhdit, Kastriot Gurra në kuadër të aksionit të ndërmarrë nga socialistët “E gjithë vëmendja për Ju”, zhvilloi një takim me shqiptarë që jetojnë e punojnë në zonën veriore të Londrës. 

Në fjalën e tij Balla tha se është detyrim i klasës politike shqiptare që për zgjedhjet politike të 2021 të garantojë votën e shqiptarëve që jetojnë jashte territorit.

Është detyrim i klasës politike shqiptare që për zgjedhjet politike te 2021 të garantojë që edhe ju që jetoni e punoni këtu në Londër, Britani apo kudo jashtë Shqiperisë të keni mundësi të votoni. Unë besoj që Paketa aktuale e Reformës Zgjedhore, e cila permbledh rekomandimet e OSBE/ODIHR në 3 raportet e fundit do të miratohet para krishtlindjeve, sepse siç e dini zgjedhjet vendore janë dekretuar tashmë me 30 qershor. Faza tjetër pas përfundimit të rregjistrimit të shqiptarëve jashtë territorit duhet të jenë ndryshimet ligjore për ti hapur rrugë votimit tuaj në vitin 2021.

Taulant Balla, kryetar i grupit parlamentar të PS