Balliu: Projekti i 'Unazës së Re' është pa leje të vlefshme ndërtimore

18 Nëntor 2019, 11:38

Projekti korruptiv i "Unazës së Re" është pa leje të vlefshme ndërtimore.' kështu është shprehur ish deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu i cili me anë të një deklarate për mediat i ka kërkuar Prokurorisë në emër te PD që të nisë hetimet pa vonesë për këtë projekt që e konsiderojnë aferë të rëndë korruptive.

Sipas Balliut,  kompania “AVE CONSALTING”, në kundërshtim me ligjin, nuk ka drejtues teknik në fushën e gjeodezisë. Ish deputeti i PS shton se dokumentet provojnë se projekti teknik është jo i plotë. Atij i mungon studimi topografik, gjë që vërtetohet nga shkresa e Autoritetit Kombëtar të Rrugëve.

Më pas ai deklaroi se mungesa e këtij studimi sjell pasoja juridike në pavlefshmërinë e lejes së ndërtimit të projektit që kushton 20 milionë euro për 1 kilometër.

Në fund Balliu shtoi se Partia Demokratike do t’i dorëzojë Prokurorisë te gjitha dokumentet e nevojshme për të nxjerrë në dritë këtë aferë korruptive, ku sipas tij një grusht njerëzish duan të shtojnë pasuritë duke shkatërruar jetën e qindra familjeve.