Balliu ka akuzuar edhe kompaninë INK që duhet të mbikëqyrë cilësinë e punimeve duke thënë se paguhet nga Salillari që është edhe firma zbatuese e projektit në 'Lotin 2' për segmentin nga mbikalimi tek Pallati me Shigjeta tek rrethrrotullimi Shqiponja.
Rreth një javë më parë rreth këtij skandali me punimet në projektin e Unazës së Re, denoncoi edhe Shqiptarja.com. Në shkrimin e publikuar thuhet se Autoriteti Rrugor Shqiptar, në mënyrë dyshimtë, ka renditur në krye të listës kompaninë Instituti i Konsulencës në Ndërtim INK, duke e projektuar si fituese të ardhshme për të mbikëqyrur punimet për ndërtimin e segmentit të Unazës së Re, ndërkohë që në pjesën e parë të garës kompania nuk ishte renditur në krye.Skandali konsiston në faktin se as Autoriteti Rrugor, as Komisioni i Prokurimit Publik, nuk e kanë përjashtuar kompaninë Instituti i Konsulencës në Ndërtim nga gara për mbikëqyrjen e punimeve tek Unaza e Re, pasi ajo ka lidhje financiare me kompaninë Salillari, e cila do të zbatojë projektin për të njëjtin segment.
Po kështu Shqiptarja.com bëri një tjetër shkrim, ku skandali thellohej akoma më shumë. Pasi u lejua nga Autoriteti Rrugor dhe Komisioni i Prokurimit Publik që të vijonte garën në konflikt interesi, madje duke e shpallur të parën me pikë për kriterin teknik, Kompania Instituti i Konsulencës në Ndërtim (INK) ka ndërmarrë një tjetër lëvizje taktike. Pas kalimit të fazës së parë me kriteret teknike, kur kompania INK arriti të shtonte totalin e pikëve me 20 pikë, Autoriteti Rrugor ka kaluar në fazën e dytë të tenderimit me ofertat ekonomike. INK ka paraqitur një ofertë financiare anomalisht të ulët, me qëllim për t’u shpallur me çdo kusht fituese e tenderit për mbikëqyrjen e Salillarit, me të cilin ka lidhje të forta ekonomike.
Pikërisht këto dokumente që Shqiptarja.com zotëron, i ka përdorur edhe ish deputetit të PD i cili thotë se çështjen së bashku më banorët e Astirti mund ta çojnë edhe në Strasburg.
Deklarata e plotë e Balliut:
Edi Rama e nisi dhe po e vazhdon projektin e zgjerimit të Unazës së Re jo si një projekt në shërbim publik, por si një projekt për të vjedhur. Ky është një rast unik, kur në një terren të ngjashëm, pa llogaritur dëmshpërblimet, 1 kilometër të kushtojë 20 milionë euro.
Pasi u kap në flagrancë duke vjedhur me një tender me fitues të paracaktuar, pa garë, pasi u kap me një kompani fallco si dh-ja; pasi ka bllokuar hetimet në prokurori për mashtrimin me DH Albania, agjencitë në varësi të Edi Ramës po e thellojnë vjedhjen.
Siç është bërë e njohur, 2 nga 3 segmentet e projektit korruptiv që prish pa dëmshpërblim shtëpitë e qytetarëve, do t’i ndërtojë kompania Salillari. Praktikisht, ajo do t’i mbikëqyrë po vetë punimet tek Unaza, pasi kompania e përzgjedhur në kundërshtim flagrant me ligjin e prokurimit publik është në konflikt të hapur interesi.
Kompania INK, që duhet të mbikëqyrë cilësinë e punimeve tek Unaza paguhet nga Salillari si mbikëqyrëse për koncesionin e rrugës së kombit, ku operon së bashku me Kastratin.
Kjo është shkelje flagrante e ligjit të Prokurimeve. Qëllimi është i qartë dhe një i vetëm; të vidhet çdo qindarkë në kurriz të qytetarëve shqiptar. Salillari të bëjë sikur punon dhe INK, që merr para në një projekt tjetër nga Salillari, të bëjë sikur gjithçka është në rregull.
Partia Demokratike i kërkon Prokurorisë të mos qëndrojë pasive në akte të tilla të shkeljes së ligjit, që kanë si bazë marrëdhënien korruptive, vjedhjen e parave publike duke mashtruar me cilësinë e punimeve. Deri tani, prokuroria është sjellë si zgjatim i Edi Ramës, duke lënë në harresë shumë dosje abuzimesh të kësaj qeverie, veçanërisht dosjen e DH Albania, kompania fantazmë që u shpall fituese e tenderit të parë dhe do të merrte 40 milion euro para publike.
Vjedhja e miliona eurove është arsyeja pse Edi Rama nuk pranon dialog me qytetarët e Unazës së Re, që janë në mbrojtje të ligjshme të banesës së tyre.
Në emër të banorëve të Unazës, mesazhi për qeverinë për të zgjidhur këtë konflikt është
Dialog dhe JO dhunë! Siç pohojnë edhe Kombet e Bashkuara, dëbimi i qytetarëve nga shtëpitë është shkelje e të drejtave të njeriut! Mos e shtoni më shumë faturën për shqiptarët, duke detyruar banoret e unazës së re ta çojnë çështjen në Strasburg dhe ta fitojnë!