Ballkani gjunjëzohet nga përmbytjet

16 Maj 2019, 14:35

Ndërsa Europa po përballet me një mot të acartë dhe me stuhi gjigante bore që kanë përfshirë një pjesë të madhe të kontinentit, në Bosnje dhe Serbi, pas shpërthimit të lumenjve nga rreshjet e dendura, janë përmbytur mijra shtëpi dhe shumë rrugë. Sipas autoriteteve, më shumë se 100,000 shtëpi dhe ndërtesa janë të pabanueshme dhe 1 milion njerëz kanë mbetur pa ujë të pijshëm.

Pasojat e përmbytjeve janë katastrofike, të ngjashme me ato të vitit 1990. Sipas një zyrtari boshnjak, të paktën 500,000 njerëz janë zhvendosur nga zonat e përmbytura, ndërsa në Serbi 25,000 njerëz kanë mbetur të pastrehë.  Rrëshqitjet e dheut kanë përkeqësuar situatën dhe kanë penguar përpjekjet për ndihmë; gjithashtu prania e minave të “varrosura” gjatë konfliktit të viteve 1992-1995 kanë shtuar rreziqet.

Në Serbi, zona më e prekur është rreth qytetit të Obrenovacit, në jug-perëndim të Beogradit, ku lumi Sava ka përmbytur gjithë qytetin. Pranë Beogradit, autoritetet u kanë kërkuar banorëve që të kufizojnë përdorimin e energjisë elektrike, pasi rrugët rreth termocentralit Nikola Tesla, që prodhon gjysmën e energjisë që konsumohet në Serbi, janë të përmbytura.

Kryqi i Kuq i Serbisë dhe ai i Bosnje Hercegovinës, ku është shpallur dhe gjendja e jashtëzakonshme, kanë një javë që po përballen me katastrofën e shkaktuar nga përmbytjet shkatërruese që kanë goditur Ballkanin, më të këqijat e 120 viteve të fundit.