Pandemia ka ngadalësuar ecurinë e shumë projekteve të rëndësishme në vend. Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku gjatë një interviste për Report TV, tha se shumë kantiere u penalizuan dhe procedura tenderuese u shtyn për në një moment të dytë i tillë si rasti i Aeroportit të Vlorës.
Por në këtë vit të vështirë sipas ministres gjeti realizim tenderi për dy nga investimet më të mëdha tuneli i Llogarasë dhe Parku fotovoltaik i Karavastasë. Balluku zbulon për Report TV se autostrada Tiranë-Durrës nuk do të jepet me koncesion pasi përfundimi i ‘Korridorit Blu’ do ti reduktojë trafikun që krijohet. Ndërkohë kanë përfunduar 4 tunele tek Sheshi Shqiponja, ndërsa në mars të vitit 2021 do të hapet plotësisht qarkullimi.Ministrja Balluku zbuloi edhe detaje të tjera për aeroportin e Vlorës për të cilin tha se ka pasur goxha interes nga kompanitë për të marrë pjesë në tendër, dhe se në ditët e para të janarit do të kemi një fitues. Ky aeroport në jug të vendit do të ketë pistën 3.2 kilometra do të mundësojë fluturime trans-oqeanike nga Shqipëria pra pa pasur më nevojë që të shkojmë në aeroporte të huaja, si dhe në të do të zhvillohet biznesi i hangarëve. Pas hapjes së kantierit për ndërtimin e këtij aeroporti do të hapet procedura tenderuese për aeroportin sezonal të Sarandës. Ndërsa aeroporti i Kukësit do të jetë rajonal me fokus tek fluturimet e Evropës veriore.
