Balluku inspektime për ujësjellësin e ri të Rubikut: Zgjidhim një shqetësim të vjetër të banorëve

7 Dhjetor 2020, 20:23

Ujësjellësi i Rubikut është tashmë një prej 128 kantiereve, të hapura nga AKUM në të gjithë vendin, ku po punohet për ndërtimin e rrjetit të ri shpërndarës.

Ujësjellësi aktual është ndërtuar në vitet 60-të dhe amortizimi e mungesa e investimeve ka sjellë degradimin e tij, duke ndikuar direkt në sasinë dhe cilësinë e furnizimit me ujë të pijshëm për banorët e kësaj zone.

Përmes investimit, që tashmë ka nisur në këtë zonë, do të ketë një transformim të situatës, e cila do të garantojë furnizim të pandërprerë për afro 4500 banorë. Investimi mbulon zonën urbane të Rubikut si dhe dy fshatrat, Munazë dhe Fierzë.

Ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku, e shoqëruar nga Drejtori AKUM, Alqi Bllako dhe kryetari i Bashkisë së Mirditës, Ndrec Dedaj inspektuan punimet, që po bëhen për këtë vepër.

“Po investojmë në një projekt, i cili do të bëjë të mundur rinovimin tërësor, jo vetëm të linjës së transmetimit, me një gjatësi prej 11.5 kilometrash, rregullimin e burimit, por gjithashtu dhe 16 kilometra rrjet i brendshëm, duke pajisur të gjithë konsumatorët me ujëmatës për të faturuar atë sasi uji që realisht konsumohet. Gjithashtu, në qytetin e Rubikut, por dhe në dy fshatrat, Munazë dhe në Fierzë, do të ndërtohen edhe 6 depo, të cilat do të garantojnë furnizim të pandërprerë 24 orë me ujë për 4500 banorë”, sqaroi drejtori Bllako.

Kryebashkiaku Dedaj e cilësoi projektin për ndërtimin e ujësjellësit të ri si një investim tepër të rëndësishëm dhe të shumëpritur nga banorët e Rubikut, i cili zgjidh një herë e mirë një shqetësim të vjetër të banorëve.