Balluku inspekton punimet në ujësjellësin e ri, 25 mijë banorë të Kuçovës do furnizohen me ujë 24 orë në ditë

19 Janar 2021, 20:43

Ujësjellësi i ri i Kuçovës do të sigurojë furnizim të pandërprerë me ujë të pijshëm për 25 mijë banorë.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku, e shoqëruar nga drejtori i AKUM, Alqi Bllako ka ndjekur nga afër punimet në Bashkinë e Kuçovës për ndërtimin e rrjetit të ri të ujësjellësit.

Gjatë inspektimit Balluku u shpreh se projektet e reja nuk duhet dëmtuar, ndërsa shtoi se investimi në fjalë garanton furnizim të pandërprerë me ujë të pijshëm për afër 25 mijë banorë.

Ndërkohë Bllako tha se investimi konsiston në rehabilitimin e rrjetit të brendshëm dhe pajisjen e të gjithë konsumatorëve me ujëmatësa.

 “Investimi konsiston në rehabilitimin tërësor të rrjetit të brendshëm dhe pajisjen e të gjithë konsumatorëve me ujëmatësa në mënyrë që të ndihmojmë edhe ndërmarrjen në faturimin korrekt të sasisë së prodhuar dhe konsumuar. Është fakt tashmë, si në çdo vend tjetër në Shqipëri në çdo zonë urbane apo rurale, që për shkak të ndërhyrjeve të paligjshme në rrjet apo për shkak të mungesës së ujëmatësave, niveli i ujit pa të ardhura ka qenë në nivele shumë të larta mbi 80%, duke bërë që ndërmarrjet të jenë jo eficiente në operimin e tyre”, u shpreh drejtori Bllako.

Kuçova është një prej 128 kantiereve ku Qeveria Shqiptare është duke investuar për ndërtimin e rrjetit të ri të ujësjellësit.