Balluku: Mbyllen të gjitha fluturimet për pasagjerët mes Italisë dhe Shqipërisë

10 Mars 2020, 12:06 | Përditesimi i fundit: 2020-03-10 13:55:23

TIRANË - Sonte do të bëhen fluturimet dhe lundrimet e fundit drejt Italisë, ndërsa nga ky moment do të pezullohen të gjitha udhëtimet ajrore dhe ato me traget drejt shtetit fqinj. 

Ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku në një komunikim me mediat, i bëri apel të gjitha agjencive ajrore që të zhvendosin datat e fluturimit për pasagjerët që i kanë prerë biletat, ashtu sikundër po vepron Air Albania. Ministrja kërkoi bashkëpunimin e ambasadës italiane në vendin tonë, që nëse do të ketë kërkesa për të tërhequr italianët që ndodhen në Shqipëri, ta bëjë këtë vetëm përmes avionëve që vijnë bosh në aeroportin e Rinasit. E njëjta gjë do të vlejë edhe për tragetet. Nëse ambasada vendos, do të duhet të vijën anije bosh nga Italia për të bërë të mundur tërheqjen e shtetasve italianë që ndodhen në Shqipëri. Personeli ajror dhe ai i trageteve, do të kontrollohen nga ekipet e Ministrisë së Shëndetësisë.

Po ashtu, ministrja i bëri apel qytetarëve që të përdorin shërbimet online dhe të mos shkojnë në sportele. "Është e patolerueshme për kushtet e sigurisë në të cilat ndodhemi për të parandaluar infektimin komunitar, që të paraqiteni në sportele. Drejtojuni shërbimit online", theksoi Balluku.