Balluku në Vlorë: Në portin e këtij qyteti kalojnë mbi 2500 pasagjerë në ditë

22 Korrik 2019, 18:31 | Përditesimi: 22 Korrik 2019, 18:31

VLORË- Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku inspektoi ambientet e reja të Terminalit të Vlorës ku u njoh edhe me investimin e bërë. Ajo vlerësoi gjithashtu faktin se ndërtimi i Terminalit të ri u bë i mundur me kapacitete financiare të vetë shoqërisë portuale, duke treguar një mirë menaxhim të fondeve shtetërore, dhe që mbulon nevojat e udhëtarëve dhe mjeteve lundruese, numri i të cilëve ka ardhur duke u rritur vitet e fundit.

“Vlen për t'u theksuar se ky Port edhe me terminalin e ri, pothuajse ka dyfishuar kapacitetet përpunuese të udhëtarëve. Sot ne mund të përpunojmë nga Porti i Vlorës mbi 2500 pasagjerë në ditë. Ky investim vjen në kuadër të numrit të shtuar si të pasagjerëve ashtu edhe të mjeteve lundruese që qyteti i Vlorës ka pasur nga vitit 2017 dhe deri më sot. Vetëm gjatë vitit 2017-2018 kemi një rritje me 20% të pasagjerëve ose turistëve të huaj që aksesojnë Portin e Vlorës.

Unë i kam lënë porosi drejtorit, të cilin e falënderoj për punën e shkëlqyer që ka bërë deri më sot, që së bashku me stafet e ekspertëve nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, duhet të kërkojmë edhe kompani të tjera që ofrojnë shërbimin e lundrimit për pasagjerë”, nënvizoi Balluku duke njoftuar se së shpejti do të nisin edhe procedurat për këtë qëllim.

r.k./Shqiptarja.com