Balluku për Report Tv: Një familje me 9 persona nën rrënoja në zonën e Kënetës në Durrës!

26 Nëntor 2019, 10:38

Ministrja e Infrastrukturës dhe të Energjisë, Belinda Balluku në një lidhje telefonike për Report Tv është shprehur se në zonën e Kënetës në Durrës, një familje me origjinë nga Dibra, me mbiemrin Lala, e cila përbëhet nga 9 pjesëtarë, ndodhet nën rrënojat e banesës së tyre që është shembur.

Balluku bën me dije se në këtë zonë janë disa banesa të shembura. Ministrja ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve të Durrësit që të mos përdorin makinat e tyre, pasi kanë bllokuar rrugën e ambulancave dhe mjeteve të shpëtimit.

" Familja Lala nga Dibra janë nën rrënoja. Në zonën e kënetës në Durrës. Ka patur edhe lajmërime për viktima. Por dua të bëj thirrje. Qyteti i Durrësit është i bllokuar dhe po bllokohen edhe ambulancat. Është e rëndësishme që të gjithë qytetarët e Durrësit të mos përdorin makinat pasi janë bllokuar të gjitha akset e  qytetit. Vështirësi në hyrjen e ambulancave dhe makinave të rënda për të punuar. Është hapur pallati i Sportit për të gjithë personat në nevojë. Zjarrfikëset janë në teren. Në zonën e kënetës ka disa ndërtesa, por tashmë është vetëm familja Lala me 9 anëtarë nën rrënoja. Supozojmë që janë 9 anëtar nën rrënoja pasi është familje me 9 anëtarë." tha Balluku.