Balluku: Shtyhet afati i kolaudimit për ata që do e kryenin në janar! Tenderi për rrugën Milot-Fier do rihapet pas 20 janarit

29 Dhjetor 2020, 14:13 | Përditesimi i fundit: 2020-12-29 15:59:14

Afati për kryerjen e kolaudimit të automjeteve për qytetarët që e kishin të parashikuar në muajin janar do të shtyhet në një datë pa afat. Këtë e bëri të ditur Ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku gjatë një konference për shtyp ditën e sotme. Ajo u shpreh se më datë 1 janar do të japë informacionin e plotë mbi shtyrjen e këtij afati.

“Procesi i kolaudimit, koncesioni përfundon më 31 janar. DPSHTR ka kapacitetet e mundshme për të mbuluar këtë shërbim duke marrë në dorëzim të gjitha asetet që koncesionari e ka detyrim ligjor për të dorëzuar. Megjithatë ky do jetë proces që do marrë kohë. Për arsye të pandemisë, do të ketë shtyrje afati që do të bëhet publik shumë shpejt. Duke e përfunduar në 2-3 ditët në vazhdim. Do të bëhet e ditur më 1 janar se kur do të shtyhet kjo datë” – tha Balluku.

Balluku foli dhe për projektin e ndërtimit të rrugës Milot-Fier për të cilën u shpreh se tenderi do të rihapet më 20 janar të vitit 2021. Gjithashtu ajo preku dhe një çështje tjetër të rëndësishme, atë të rafinerisë së Ballshit.

Ministrja deklaroi se qeveria është në kërkim të një investitori të përgjegjshëm dhe shpreson që kjo çështje të zgjidhet deri në fund të muajit shkurt.

Ndër të tjera ajo tha se aeroporti i Rinasit ka pasur problematika më parë dhe se i ka kërkuar koncesionarit që të plotësojë kushtet e infrastrukturës brenda kontratës.

Në një konferencë për mediat ajo tha se me kalimin e koncesionit tek “Kastrati Group” ka filluar një erë e re.

Gjithashtu ajo tha se punimet vijojnë në aeroportin e Kukësit dhe se do të jetë i gatshëm për fluturimet në pranverë. Ndërsa për  aeroportin e Vlorës ajo u shpreh se synon zhvillimin e turizmit.