Banda e Niklës po lan hesapet, si u vra halla dhe shpëtoi nipi! Momenti kur u dërguan në spital

22 Shtator, 14:42

Report Tv zbardh detaje të reja nga vrasja mbrëmë në Fushë Krujë. Atentati mbrëmjen e së shtunës iu bë në derën e shtëpisë njërit prej anëtarëve të bandës së Niklës. Mariglen Haka u qëllua sapo hapi derën, ndërsa plumbat i morën jetën hallës së tij Shpresa Basha, e cila doli pas tij. Report Tv solli pamje ekskluzive nga spitali i Traumës, momentet kur të plagosurit mbërritën me urgjencë. Mariglen Haka dhe Shpresa Basha janë sjellë me makinën personale nga Valter Bami, vëllai i Durim Bamit.

Në pamjet e siguruara nga Report Tv, duket momenti kur Shpresa Basha u transportua e plagosur, por nuk mundi t'u mbijetonte plagëve duke ndërruar jetë. Shpresa Basha ishte e fashuar në pjesën e poshtme të barkut ku dyshohet se mori plagët e armës së zjarrit. Valter Bami i veshur me kostumin sportiv duket duke nxjerrë nga makina Mariglen Hakën i cili mori plagë të rënda në krahun e djathtë. Valter Bami një prej pjesëtarëve të bandës së Niklës është fqinj dhe miq me familjen Haka.

Burime për Report Tv bëjnë me dije se Mariglen Haka ka dalë nga shtëpia pas zhurmave që ka dëgjuar jashtë shtëpisë dhe menjëherë pas tij edhe halla, Shpresa Basha  e cila kishte shkuar për vizitë tek nipi. Ajo ndërroi jetë në spital pasi nuk mundi t'i mbijetojë plagëve të marra. Ndërsa  pranë shtëpisë së Hakajve në fshatin Zeze, janë gjendur rreth 200 gëzhoja plumbash.

"Grupi hetimor po punon për identifikimin e autorëve dhe sqarimin  e rrethanave të ngjarjes", thotë policia në një njoftim paraprak për ngjarjen, por deri më tani mësohet se nuk ka asnjë të shoqëruar.

Mariglen Haka në 13 qershor 2011 është shoqëruar si i dyshuari kryesor për vrasjen e biznesmenit të kromit Bledi Zeneli alias Nadien Zeneli ish-dhëndër i Hakajve në zonën e Bllokut.  Zeneli u akuzua nga Hakat se ai ka vrarë Roland Haka në në vitin 2004 në parkingun e një restoranti në rrugën kryesore në Fushë Krujë.

Në këtë Mariglen Haka ka qenë 12 vjec dhe 7 vjet më pas, në 2011 ai vret ish dhëndrin. Por përpos kësaj historie mes dy familjeve, atentati i së shtunës, lexohet si një mesazh i qartë për anëtarët e bandës së Niklës të cilët duket se kanë filluar të lajnë hesapet.

Kategori të tjera