Banka Amerikane e Investimeve, 5 vite sukses në Shqipëri

23 Tetor 2020, 19:01

TIRANË- ABI Bank feston këtë muaj 5 vjetorin e saj të parë si pjesë e sistemit bankar shqiptar, që nga licencimi i saj nga Banka e Shqipërisë në Tetor të vitit 2015. 
Pesë vite më parë ABI, ishte një projekt me objektiva dhe vlera aspiruese, që koha e ktheu në realitet falë profesionalizmit, integritetit, pozitivitetit, përkushtimit e sofistikimit të punonjësve te saj.

Këto vlera kanë kontribuar në përmirësimin e rezultateve të klientëve, punonjësve dhe të gjithë sistemit bankar Shqiptar. Sot Banka Amerikane e Investimeve ka rritur vlerën e aseteve mbi katër herë në pesë vitet e fundit dhe ka raportuar rritje të fitimit çdo vit. Gjithashtu, ABI është banka e pestë nga madhësia e kapitalit. 

Në ceremoninë e festimit të këtij përvjetori, Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i ABI Bank, Z. Andi Ballta u shpreh se: “Moto e ABI Bank do të vazhdojë të jetë Investo në Optimizëm. Veçanërisht në kohën e pasigurtë që po kalojmë zgjedhja është e thjeshtë, e qartë dhe e bazuar në fakte historike. Shumica dërrmuese e popullsisë do ta kalojë pa probleme këtë kohë të vështirë dhe ABI do të vazhdojë të jetë bankë për çdo stinë dhe do të mbështesë fuqishëm klientët ekzistues dhe të rinj.”

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Z. Gent Sejko, duke vlerësuar kontributin e Bankës Amerikane të Investimeve në sistemin bankar shqiptar, u shpreh se: “Prezenca në rritje e kapitalit amerikan në sistemin bankar është një sinjal mjaft pozitiv. ABI Bank gjatë këtyre 5 viteve ka njohur një trajektore të qëndrueshme rritjeje, si në depozita, ashtu edhe në kredi ndërkohë, që kujdes i është kushtuar edhe nivelit të treguesit të kredive me probleme, i cili është reduktuar ndjeshëm. Po ashtu, së bashku dhe me të gjithë aktorët e tjerë të sistemit financiar në Shqipëri, ABI Bank ka luajtur dhe po luan një rol mjaft mbështetës gjatë kësaj periudhe të vështirë pandemie, veçanërisht në krijimin e faciliteteve për ata klientë të goditur drejtpërdrejt prej saj.”