Banka Botërore: Tërmeti dhe pandemia godasin rëndë ekonominë shqiptare, minus 1.4% në 2020

9 Prill 2020, 14:07

Në raportin e pranverës, të publikuar sot nga Banka Botërore lidhur me vendet e Europës dhe Azisë Qendrore, vlerësohet se për herë të parë në shumë vite, Shqipëria do të ketë rrudhje të Prodhimit të Brendshëm Bruto në masën 1.4 për qind.  Banka Botërore është institucioni i parë financiar ndërkombëtar që bën një parashikim të pasojave ekonomike të pandemisë në këtë zonë të botës.

Sipas Bankës Botërore, goditjen e parë ekonomia shqiptare e ka marrë që në nëntor të vitit të kaluar, kur llogaritet që të jetë sa 7.5 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto dëmi i shkaktua në pasuri fizike dhe humbje ekonomike

Ndërkohë, parashikohet që të ketë rreth 1.4% humbje në Prodhimin e Brendshëm vetëm si pasojë e koronavirusit, pezullimit të lëvizjes, ndërprerjes së aktivitetit ekonomik normal të ndërmarrjeve, etj.

Sipas Bankës, rindërtimi i objekteve të dëmtuara nga tërmeti që fillon këto ditë si dhe rimëkëmbja e prodhimit të energjisë elektrike do ta plotësojnë vetëm pjesërisht hendekun që krijon pandemia. Turizmi dhe transporti do të pësojnë një shok të vërtetë, thuhet në raport.

Zgjatja e situatës në Evropë do të ndikojë negativisht si në tregtinë e jashtme, ashtu edhe në hyrjen e investimeve të huaja direkte në Shqipëri apo prurjeve valutore nga emigracioni