Bankat pranojnë vendimin: Hapur vetëm në oraret kur lëvizin qytetarët, ngrijnë këstet e kredive

19 Mars 2020, 12:37

Më datë 17 mars kryeministri Rama firmosi urdhrin për shtyrjen e afatit për pagesat e kësteve, për në një moment të dytë, duke iu dhënë mundësinë qytetarëve dhe bizneseve që të kërkojnë trajtim preferencial për të shlyer këstin më vonë. Ky vendim u mor nga Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë që vendosi të shtyhen me 3 muaj pagesat e kësteve të kredive për të gjithë klientët e bankave, për shkak të pezullimit të shumë aktiviteteve si masë për të parandaluar përhapjen e COVID-19.

Sekretari i Përgjithshëm i Shoqatës Shqiptare të Bankave, Spiro Brumbulli ka shpjeguar në emisionin Repolitix në Report TV, se aktualisht bankat po punojnë për orientimin e kredimarrësve, që të justifikojnë kërkesën e tyre për shtyrje të afatit, si dhe për procedurat që do të ndjekin.

Të gjithë kredimarrësit ti drejtohen bankave për të marrë një trajtim preferencial për të mos i paguar këstet gjatë kësaj periudhe 12 mars -31 maj nëse justifikojnë arsyen por ti shtyjnë për një periudhë tjetër. Bankat po ndërgjegjësojnë të gjithë kredimarrësit që të mbledhin dokumentacionin për problemin që kanë, të justifikojnë shtyrjen dhe më pas të negociojnë”,shprehet Brumbulli.

I pyetur nëse bankat e nivelit të dytë mund të mendojnë për një shtyrje të këtij afati tremujor, Brumbulli shpjegon se një shtyrje e dytë mund të rrezikonte sistemin financiar. Sipas tij aktualisht me këtë vendim të marrë në sistemin bankar nuk do të hyjnë 260 milionë euro.

“Shtyrja për më shumë se një periudhë tre mujore, shkakton dëme dhe rrezikon sistemin financiar. Bankat Nuk lozin me paratë e tyre dhe 10% e gjithë totalit të detyrimeve janë kapitale aksionare, 90% janë depozita dhe gjëja e parë që bëjnë bankat është të ruajnë depozitat e qytetarëve. Periudha tremujore është konsideruar e arsyeshme për të kaluar këtë pik të situatës dhe deri sa të dalim nga kjo situatë do të shikojmë, nëse do të jetë më shumë atëherë bankat do të kenë vështirësi shumë në thithjen e likuiditetit. Aktualisht vetëm për këto tre muaj në sistemin bankar nuk hyjnë rreth 260 milionë euro”,thekson sekretari i Shoqatës së Bankave.