Bankers Petroleum padit ish-drejtuesin: Ekspozoi informacion konfidencial te palët e treta për përfitime personale

16 Maj 2020, 17:19

Shoqëria “Bankers Petroleum Albania Ltd” ka paditur më 15 maj ish drejtorin e përgjithshëm Leonidha Cobo. Ai akuzohet se ka kryer veprime të kundraligjshme në shkelje flagrante të ligjit, kombëtar dhe atij ndërkombëtar, pasi ka ekspozuar informacion konfidencial tek palët e treta, duke e përdorur atë për përfitime personale dhe të të tretëve. Në të njëjtën linjë me ish drejtorin Cobo ka vepruar edhe ish CEO i shoqërisë  Sunnel Gupta, i cili i ka përdorur informacionet konfidenciale në kundërshtim me marrëveshjen e lidhur për  ndalimin e konkurrencës me BPAL, marrëveshje kjo e nënshkruar dhe e vlefshme për periudhën 12-24 mujore pas përfundimit të marrëdhënies së punës.

Nga informacionet e deritanishme, rezulton se ish drejtori i kompanisë dhe ish Drejtori Ekzekutiv (CEO) i Bankers Petroleum Limited (BPL) Suunel Gupta, ish drejtori i Planifikimit te Korporatës Justin Kereluk, ish konsulenti ligjor Trent Mercier, dhe ish konsulenti për shitjet Massimilliano Calabro, në bashkëpunim me Cobo kanë planifikuar skenarin e përdorimit të informacionit konfidencial kundër BPAL edhe pse në konflikt interesi.