Bankers Petroleum solidariazohet me punonjësit që përballen me COVID-19, dhuron rreth 15 mijë maska për 3 bashki

10 Prill 2020, 11:25 | Përditesimi i fundit: 2020-04-10 11:26:31

Kompania "Bankers Petroleum" ka zgjedhur t'u qëndrojë pranë punonjësve që këto ditë të vështira për vendin tonë po përballen në terren me virusin COVID-19. Bankers ka shpërndarë për bashkitë e Fierit, Patosit dhe Roskovecit rreth 15 mijë maska, për t'i ardhur në ndihmë kështu punonjësve të bashkive, që njëjtë si bluzat e bardha, edhe ata janë në vijën e parë të punës.

Përfaqësuesit e qeverisjes lokale e kanë quajtur të çmuar këtë ndihmë në momentet kritike që vendi po kalon nga pandemia.

Kjo ndihmë e Bankers vjen në këtë moment shumë të vështirë për ne, por nuk është e vetmja ndihmë. Bashkëpunimi mes nesh dhe Bankersit është një bashkëpunim në vazhdimësi, si pjesë e programeve të tyre për komunitetin ku kanë kontribuuar në të gjithë territorin e bashkisë me projekte të ndryshme", u shpreh administratori i Bashkisë së Fierit, Florian Muçaj.

Kryetarja e Bashkisë Patos, Rajmonda Balili ndau vlerësimet për këtë gjest solidar, duke sjellë në vëmendje edhe kujdesin që në vazhdimësi kompania më e madhe e prodhimit të naftës në vend ka treguar ndaj komuniteteve ku operon.