Banorët ankohen për mbikalimet në Kukës-Morinë: Janë vendosur larg, duhen në zonat e populluara

25 Maj 2020, 09:41

Mbikalimi i këmbësorëve që po ndërtohet në rrugën Kukës-Morinë nuk është funksional sipas banorëve. Ata kërkojnë që të vendosen në zona të populluara , pasi detyrohen që të kalojnë trafikndarëset për të kaluar në anën tjetër të rrugës.

Banorët thonë se po vendoset në një zonë që nuk është e populluar e si rrjedhojë jo funksional. Ai duhet të ishte ndërtuar 2 deri në 3 km më poshtë thonë ata.

"Mbikalimi duhet me u bo ku është vendi i populluar. Ecim gjatë në këmbë, nuk është në interesin e askujt", tha një banor.

"Ky mbikalim ka bllokuar të gjithë dhe moshat e vjetra që nuk mund të hipin mbi trafikndarëset. Mbikalimet duhet ku ka njerëz dhe popullim" tha një tjetër banor

Autoriteti Rrugor Shqiptar ka nisur montimin e mbikalimit të këmbësorëve poshtë qytetit të Kukësit.  Përgjatë gjithë segmentit Kukës –Morinë deri tani janë vetëm tre mbikalime për këmbësorë, ende të pa përfunduara.