Banorët e Matit kundër ndërtimit të HEC-it me arkivol para Bashkisë, konfrontohen me policinë

6 Mars 2020, 15:50 | Përditesimi i fundit: 2020-03-06 17:21:18

MAT- Me pankarta në dorë, banorët e Zall-Gjoçaj, Melth dhe fshatrave të Matit kanë protestuar para Bashkisë së kundër ngritjes së HEC-eve. Simbolika më e fortë e kësaj proteste është një arkivol që u vendos në oborr të bashkisë, për të treguar se me marrjen e ujit, zona atje do të jetë e vdekur

"Nuk pranojmë shqiptar dhe kriminela. Largoni duart e pista. Nuk kemi ujë për tokat e italianit. Ai ujë të burojë në çezmat tona dhe për zhvillimin e Matit, jo në tubat e italianit.

Merreni arkuvilin ta gëzoni, futini projektet në arkivol", tha disa nga banorët.

Në protestë pati tension mes banorëve dhe unifromave blu, megjithatë ajo u mbyll në formën më të mirë. Duke bërë me dije se nuk do të tërhiqen, banorët në fundu dhanë dorën policëve që ishin vendosur në rresht për të mbrojtur godinën e Bashkisë dhe duke bërë një falenderim për ta.

"Falenderojmë policinë e shtetit, djemtë e malit. Kemi të drejtë, e dinë edhe këta", tha organizatori i kësaj proteste.

Banorët e fshatit Zall Gjoçaj janë ngritur në protestë prej muajsh në protestë kundër ndërtimit të një hidrocentrali, i cili sipas tyre do të marrë ujin që iu nevojitet për punët e tyre në bujqësi dhe vajitjen e tokave. Rezistenca e tyre për mbrojtjen e parkut kombëtarë Lurë – Mali Dejës vijon edhe në rrugë ligjore ku çështja po shqyrtohet nga Gjykata Administrative në Tiranë.