Banorët në Theth i ankohen prefektit për pronat: Nuk na i kthejnë, i kemi prej shekujsh

25 Korrik 2019, 21:47

Një komitet për menaxhimin e parkut Kombëtar të Thethit është krijuar në këtë zonë turistike e cila do të dëgjojë banorët dhe bizneset e bujtinave  për problematikat që ata kanë.

Banorët i kanë kërkuar Prefektit të Qarkut Shkodër Cesk Millja si Kryetar i këtij Komiteti të ketë në vëmendje cështjen e pronave.

Kjo cështje sipas tyre është e trashëguar dhe kjo ka bërë që ndaj tyre të ketë procedime penale vetëm se kanë guxuar të restaurojnë prona të cilat i kanë prej me shumë se 300 vitesh.

"Prona në ato pjesë ku nuk ka konflikte të shkojë aty ku ka qenë, është trashëgimi. Ne kemi pasur probleme me ligjin, me shtetin, me prokurorinë edhe për ndërtime që kanë 200 vjet për restaurime sepse s’mund ta presësh në një kasolle turistin. Sikur me qenë kryetarja e bashkisë sot këtu, unë dua të bëj një ndërtim si ma jep lejen ku nuk kam tapi toke? Nuk të jep ligjërisht.

Unë kam ardhur nga jashtë e kam bërë e çfarë bam investim, nuk i ka lyp asgjë shtetit, veç drita  dhe rrugë"thanë banorët.

Prefekti premtoi që në takimin e parë me kryetarët e Bashkive do të trajtojë këtë cështje. Drejtori i Zonave të Mbrojtura në Shkodër Agim Dardha tha se ky Komitet është një mundësi reale për ngritjen dhe zgjidhjen e këtyre problematikave.

Thethi i cilësuar si mrekullia e alpeve shqiptare numëron një shifër prej 80 mijë turistësh në sezon por ku ende shumë shërbime si rrugë dhe energji vijojnë të jenë problematike.