Barazim mes drithërimash për Interin, Atalanta qan penalltinë e humbur dhe ankohet për 'Var-in'

12 Janar 2020, 10:16

Në javën e 19 të Seria A para 70 mijë spektatorëve në stadium Inter nuk ka mundur të shkojë më shumë se një barazim 1-1 kundër Atalantës, ekipin që dominoi më së shumti ndeshjen.

Në ‘Guiseppe Meazza’ nuk duhej të kalonte shumë para se të zhbllokohej rezultati, pasi një kombinim mes Lukakut dhe Lautaro Martinez solli golin të realizuar nga ky i fundit. Starti tepër pozitv i Interit do të zbehej nga ky episod, pasi pothuajse gjatë gjithë lojës në vijim Atalanta mori frerët. Pjesa e parë do të mbyllej me këtë rezultat, por polemikat do të ishin të mëdha në një rast brenda zonës zikaltër kur bergameskët pretenduan për penallti, e cila nuk u akordua edhe pas rishikimit në VAR.

Në pjesën e dytë, pas disa tentativave dhe një reagimi të dobët të Candreva-s, Gosens barazoi shifrat. Atalanta për pak mund ta kishte fituar këtë takim, por Muriel në minutën e 88 gaboi nga pika e bardhë e penalltisë falë reflkeseve të mrekullueshme të Handanovic, i cili më këtë pritje e çon në 30 % numrin e penalltive të pritura në karrierë.

Si pasojë e këtij barazimi Inter mund të humbasë sonte kreun e Seria A pas disa ndeshjeve në rast se Juventus fiton supersfidën në Olimpico kundër Romës. Bardhezinjtë vijnë në këtë takim pas fitores me Cagliari-n, ndërsa Roma pas humbjes me Torino-n, por përveç këtij fakti më penalizuese janë mungesat pasi kryeqytetasit e drejtuar nga Fonseka nuk do të kenë në dispozicion Henrik Mkihtaryan, Davide Santon, Javier Pastore dhe Justin Kluivert.