Barça-Atletico premton 'shkëndija', në fushë edhe Juve

30 Qershor 2020, 12:56

Atmosfera në ndeshjet Barcelona-Atletico Madrid ka qënë gjithmonë elektrizuese por dueli i mbrëmjes së sotme premton shkëndija. Një hap fals i ekipit të Setien do t’i dorëzonte titullin Real Madrid dhe do të ndizte akoma edhe më shumë debatet në skuadër ndërsa Atletico me një fitore siguron vendin në Champions. Dhomat e zhveshjes tek Barcelona po ziejnë. Lojtarët janë vënë kundër zv trajnerit Eder Sarabia ndërsa Real është dy pikë larg. Ekipi zyrtarizoi afrimin e Pjanic në mesfushë dhe Arthur do të kalojë tek Juventusi por sot është i grumbulluar. Vidal, Rakitic e Busquets do luajnë në mesfushë ndërsa në sulm Messi-Suarez e Griezmann.

Atletico Madrid i ka fituar 4 ndeshjet e fundit në La Liga dhe mban vendin e tretë por Diego Simeone në 16 vizitat që ka bërë në “Camp Nou nuk ka fituar asnjë, ka humbur 11 herë dhe barazuar 5. Savic në mbrojtje dhe Koke në mesfushë janë mungesa për shkak kartonësh dhe do zëvendësohen me Gimenez dhe Carrasco. E në sulm do jenë Diego Costa e Joao Felix. Superndeshja nis në orën 22:00.Me dyshen Dybala-Ronaldo Juventusi do të kërkojë fitoren e radhës për të ruajtur diferencën me ndjekësit. Bardhezinjtë luajnë sonte ndaj Genoas në transfertë ekip që kërkon pikë për të mbijetuar. Pritet ndonjë lëvizje në formacion ndërsa më herët Lazio e vendit të dytë është e impenjuar ndaj Torinos./ Përgatiti Andi Kapxhiu.